Kosova U15 e nis me fitore turneun zhvillimor të UEFA-s në Bullgari
Kombëtarja e Kosovës U15 e ka nisur me fitore turneun zhvillimor të UEFA-s, që po zhvillohet në Bullgari.
Dardanët e rinj kanë triumfuar ndaj Moldavisë me rezultat 2:1, në ndeshjen e parë të këtij turneu.
Kosova kaloi në epërsi në minutën e 14-të, kur Lionel Nikqi realizoi për 1:0. Dardanët e rinj arritën ta ruajnë epërsinë deri në fund të pjesës së parë, kur David Ciorici barazoi shifrat 1:1.
Ndërkohë golin e fitores për Dardanët e realizoi në minutën e parë të kohës shtesë, Real Jahiu, duke vulosur rezultatin përfundimtar 2:1.
Kjo fitore përbën një nisje të mirë për skuadrën e drejtuar nga përzgjedhësi Ilir Nallbani, e cila në këtë turne do të ketë mundësi të fitojë përvojë të vlefshme ndërkombëtare dhe të vazhdojë zhvillimin e futbollistëve të rinj.
Në ndeshjen tjetër të këtij turneu, Bullgaria e mposhti Armeninë me rezultat të thellë 8:0.
Ndeshjen e radhës Kosova U15 do ta zhvillojë më 17 tetor, kundër Armenisë, me fillim në orën 16:00, ndërsa turneun do ta përmbyllë më 20 tetor, me përballjen ndaj nikoqires, Bullgarisë, që nis në orën 11:00.



