A u dënua deklarata raciste e ministres serbe kundër shqiptarëve?

16 korrik 2026 | 12:00

Shkruan: Hanife Salihu

Deklarata e ministres serbe për administratë publike dhe vetëqeverisje lokale Snezhana Paunoviç nuk është një lapsus politik dhe as një deklaratë emocionale e momentit. Ajo është shprehje e një mendësie shtetërore që, për dekada me radhë, ka ndërtuar politikat e saj mbi mohimin e shqiptarëve dhe pretendimet territoriale ndaj Kosovës.
Prandaj shtrohen disa pyetje thelbësore.
Çfarë na tregon historia?
Çfarë na tregon e kaluara?
A ishte i mjaftueshëm reagimi i institucioneve të Kosovës?
Dhe, mbi të gjitha, ku ishte reagimi i bashkësisë ndërkombëtare?
Historia flet qartë.
Deklarata e ministres serbe rrëzon edhe një herë propagandën se Kosova paska qenë “djepi i Serbisë”. Përkundrazi, ajo i kujton botës se Serbia ka ndërtuar historinë e saj moderne mbi spastrimet etnike, dëbimet dhe ndryshimet e dhunshme demografike.
Kjo nuk ka ndodhur vetëm në Kosovë.
Ka ndodhur në Nish, ku shqiptarët u dëbuan masivisht nga trojet e tyre. Ka ndodhur në Sanxhak e në viset e tjera shqiptare me shekuj. Po vazhdon edhe sot në Kosovën Lindore; në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, përmes pasivizimit të adresave, diskriminimit institucional dhe zbrazjes së heshtur të trojeve shqiptare.
Prandaj, deklarata e ministres nuk është një mendim personal. Ajo është pasqyrim i një politike që shqiptarët e kanë përjetuar për më shumë se një shekull.
Retrospektiva na kujton edhe një fakt tjetër.
Kjo deklaratë vjen nga një ministre e qeverisë së presidentit Aleksandar Vuçiqit, njeriut që ishte ministër i regjimit kriminal të Sllobodan Millosheviqit gjatë luftës në Kosovë.
Po, ishte pikërisht ai regjim që kreu vrasje, dëbime masive dhe spastrim etnik ndaj shqiptarëve gjatë viteve 1998 – 1999.
Mirëpo, falë rezistencës heroike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ndërhyrjes vendimtare të NATO-s, në krye me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ai projekt dështoi.
Në fakt, spastrimi etnik nuk kishte filluar në vitin 1998.
Ai kishte nisur shumë më herët, para viteve të ‘90-ta, e sidomos pas vitit 1989, kur Kosova u përball me largime masive nga puna, represion institucional, burgosje, dhunë dhe emigrim të detyruar, vrasje të djemve shqiptar në ushtri etj. Shumë vendbanime shqiptare mbetën vetëm me pleq, plaka, gra e fëmijë. Projekti ishte i qartë: zbrazja e Kosovës nga shqiptarët.

Po reagimi i institucioneve të Kosovës?

Shpallja e ministres serbe person non grata ishte një veprim i drejtë dhe i domosdoshëm.
Por nuk është i mjaftueshëm.
Kosova duhet ta ndërkombëtarizojë këtë çështje në çdo mekanizëm diplomatik ku ka mundësi të veprojë. Partnerët strategjikë duhet të informohen zyrtarisht për gjuhën e papranueshme që përdorin zyrtarët serbë. Nëse ekzistojnë mundësi diplomatike e juridike, duhet të kërkohet edhe trajtimi i kësaj çështjeje në Këshillin e Sigurimit të OKB-së dhe në organizata të tjera ndërkombëtare.
Edhe opozita duhej të ishte shumë më e zëshme. Përballë deklaratave që nxisin urrejtje etnike nuk mjaftojnë disa reagime në rrjetet sociale. Në çështje të tilla duhet të ketë unitet kombëtar dhe institucional.
Po bashkësia ndërkombëtare?
Këtu qëndron zhgënjimi më i madh.
Si është e mundur që, në dekadën e tretë të shekullit XXI, një ministre e një shteti kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian të përdorë retorikë që kujton vitet më të errëta të Ballkanit dhe reagimi të jetë kaq i vakët?
Bashkimi Evropian flet çdo ditë për demokraci, të drejta të njeriut dhe pajtim. Mirëpo, kur një zyrtare e lartë përdor gjuhë që legjitimon mendësinë e spastrimit etnik, reagimi nuk mund të jetë heshtja.
Lind pyetja: a do të duhej Kosova t’i drejtonte Bashkimit Evropian një notë proteste? A mund të vazhdojë Serbia të trajtohet si partnere e privilegjuar, të ftohet në forume ndërkombëtare dhe t’i miratohen kërkesat për seanca në Këshillin e Sigurimit, ndërkohë që zyrtarët e saj promovojnë narrativa që cenojnë paqen dhe stabilitetin në rajon?
Nëse Evropa dëshiron të mbetet besnike ndaj vlerave që promovon, atëherë duhet ta dënojë pa ekuivok këtë gjuhë. Sepse heshtja përballë një ideologjie të tillë nuk është neutralitet. Historia na ka mësuar se heshtja, shumë shpesh, është hapi i parë drejt normalizimit të së papranueshmes.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Lionel Messi frymëzoi një rikthim sensacional për Argjentinën në fitoren…