Negociatat për presidentin drejt finalizimit? LV-ja kërkon marrëveshje me shkrim si garanci për votat e LDK-së
Kryeministri në detyrë dhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje (LV), Albin Kurti, dhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, nuk kanë arritur marrëveshje për emrin e presidentit apo presidentes së re, edhe pas takimit të radhës të zhvilluar mbrëmë.
“Kur të kemi rezultate nga ana jonë, do të kemi lajme për ju”, u ka thënë Kurti shkurtimisht gazetarëve pasi ka dalë nga takimi me Abdixhikun.
Ushtruesja e detyrës së presidentit dhe anëtarja e Kryesisë së LV-së, Albulena Haxhiu, është shprehur optimiste se do të ketë “rezultate pozitive” në bisedimet mes dy partive, duke lënë të kuptohet se palët nuk janë larg finalizimit të marrëveshjes.
Ajo ka uruar “që marrëveshja të përmbyllet sa më parë” dhe “që kjo javë që po vjen të jetë vendimtare për procesin e ardhshëm”.
Deputeti i LV-së, Adnan Rrustemi, ka deklaruar se në rast të një marrëveshjeje me LDK-në, kryetari i kësaj partie duhet të garantojë për të gjitha votat e grupit parlamentar.
“I mbetet zotit Abdixhiku ta menaxhojë grupin e tij parlamentar dhe, në momentin kur dakordohet për emrin, e bëjmë marrëveshje, të garantojë, le të themi, edhe implementimin e kësaj marrëveshjeje nga pozicioni i LDK-së”, ka thënë ai për “Kosovapress”.
Të mërkurën, bisedimet për presidentin janë përshkruar si “shumë të vështira” dhe “jo të lehta” nga të dyja palët. Megjithatë, Kurti dhe Abdixhiku kanë thënë se kanë bërë “një hap përpara”.
Pas atij takimi në mesjavë, Kurti ka kërkuar që diskutimet për emrat të mbahen konfidenciale, ndërsa nuk është pajtuar që negociatat të cilësohen si “maratonike”.
Ai ka thënë se është “çështje javësh” kur duhet të arrihet një dakordim për presidentin e ri.
“Nuk do t’i kisha quajtur negociata maratonike. Natyrisht që nuk janë as distanca të shkurtra apo sprint, nëse flasim me gjuhën e atletikës, por nuk janë as maratonike dhe nuk besoj që do të jenë maratonike, sepse nuk është çështje muajsh kur ne duhet të merremi vesh, është çështje javësh, e do të dëshironim të ishte çështje ditësh”, ka deklaruar Kurti.
Abdixhiku, në anën tjetër, ka paralajmëruar pas takimit të së mërkurës se do të takohej sërish me Kurtin për ta “finalizuar dhe përzgjedhur” presidentin.
“Për shkak të ndjesisë së procesit, ju lus për mirëkuptim, nuk mund të diskutoj për emra konkretë në këtë fazë, por do të takohemi sërish për të finalizuar dhe përzgjedhur Presidentin e ardhshëm të Republikës së Kosovës”, ka thënë ai.
Kurti dhe Abdixhiku mbrëmë kanë zhvilluar takimin e tyre të tretë që nga 13 gushti, kur LDK-ja hoqi dorë nga bisedimet për t’u përfshirë në bashkëqeverisje me LV-në dhe nga kërkesa për pozitën e shefit të shtetit.



