Supremja ia zbut dënimin Edmond Lajqit, nga burgim i përjetshëm në 30 vjet për vrasjen e bashkëshortes
Edmond Lajçi, i akuzuar për vrasjen e gruas së tij, Gjyljeta Ukella, është dënuar me 30 vjet burgim nga Gjykata Supreme. “Gjykata Supreme ka theksuar se burgimi i përjetshëm mund të shqiptohet vetëm në raste kur ekzistojnë rrethana veçanërisht rënduese që e dallojnë qartë rastin konkret nga rastet e zakonshme të së njëjtës vepër penale dhe kur një dënim më i butë nuk do të ishte proporcional me peshën e veprës dhe fajësinë e kryerësit. Në këtë rast, Gjykata Supreme ka vlerësuar se nuk është plotësuar ky standard ligjor.
Duke u mbështetur në parimin e individualizimit dhe proporcionalitetit të dënimit, si dhe në praktikën e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, Gjykata Supreme ka vlerësuar se dënimi me 30 vjet burgim është proporcional me peshën e veprës penale, shkallën e fajësisë dhe rrezikshmërinë e të pandehurit dhe se me këtë dënim mund të realizohet qëllimi i dënimit, si në aspektin e parandalimit individual ashtu edhe të atij të përgjithshëm.”, thuhet në njoftim.



