Aeroplanët Rafale, hapi i Ukrainës drejt një flote perëndimore
Nëse Franca e mban fjalën që e dha më 14 korrik që aeroplanët luftarakë Rafale do t’i dërgohen Ukrainës në një të ardhme të afërt, forcat ajrore të Kievit së shpejti do të operonin me tetë modele të ndryshme të aeroplanëve luftarakë, të dizajnuara në katër shtete të ndryshme.
Parisi njoftoi më 14 korrik se katër nga 16 aeroplanët e llojit Dassault Rafale do t’i dërgohen Ukrainës sapo pilotët e vendit dhe ekipet e mirëmbajtjes të trajnohen për të operuar me këtë fluturake franceze. Trajnimet mund të nisin “po më 2026”, sipas një deklarate të përbashkët të lëshuar nga Franca dhe Ukraina.
Pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik, forcat ajrore të Ukrainës trashëguan dhjetëra aeroplanë të epokës sovjetike, të cilët ende janë shtylla kryesore e flotës sulmuese ajrore. Por, që nga nisja e pushtimit rus të Ukrainës më 2022, aleatët perëndimorë e kanë furnizuar Kievin me aeroplanë të prodhimit amerikan F-16, por edhe me disa fluturake franceze Mirage 2000.
Disa aeroplanë Gripen të Suedisë pritet të operohen nga pilotët ukrainas në fillim të vitit të ardhshëm dhe Rafalet pritet të jenë fluturaket e radhës.
Operimi i një flote kaq të larmishme të fluturakeve luftarake zakonisht nuk preferohet nga ushtritë “për shkak të humbjes së përfitimeve ekonomike dhe për shkak të nevojës për të krijuar sisteme trajnimi, mbështetjeje dhe mirëmbajtjeje për secilin lloj aeroplani”, tha për
Radion Evropa e Lirë, Christoph Bergs, analist për fuqinë ajrore në Institutin Mbretëror të Shërbimeve të Bashkuara (RUSI).
Disa shtete të NATO-s operojnë me flota të përbëra vetëm nga një model i aeroplanëve luftarakë, ndërsa edhe forcat ajrore të mëdha, si ato të Gjermanisë dhe Francës, aktualisht përdorin vetëm dy lloje të fluturakeve sulmuese.
Bergs tha se rritja e kompleksitetit të flotës ajrore luftarake të Ukrainës ka të ngjarë të jetë një hap drejt synimit afatgjatë të vendit për të hequr dorë plotësisht nga aeroplanët e epokës sovjetike.
Mirëmbajtja e këtyre aeroplanëve po bëhet gjithnjë e më e vështirë për Kievin, pasi zinxhirët e furnizimeve me pjesë kyçe janë ndërprerë për shkak të armiqësive pasi Rusia aneksoi Krimenë më 2014.
Shkrimi i plotë: https://www.evropaelire.org/a/aeroplanet-rafale-flota-ukraina-/33804871.html



