KPK-ja refuzon kërkesat për rikthim të pesë prokurorëve serbë në Mitrovicë
Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), në mbledhjen e së hënës, ka vendosur të refuzojë kërkesat për tërheqjen e dorëheqjeve të pesë prokurorëve dhe 15 anëtarëve të stafit mbështetës nga komuniteti serb në Prokurorinë Themelore të Mitrovicës.
KPK-ja ia ka dërguar ushtrueses së detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, emrat e pesë prokurorëve për lirim nga detyra.
Po ashtu, në të njëjtën mbledhje, Këshilli ka shfuqizuar vendimin për pezullimin e pagave të prokurorëve dhe stafit mbështetës serb.
Për refuzimin e kërkesave për tërheqjen e dorëheqjeve votuan katër anëtarë: Dardan Vuniqi, Visar Krasniqi, Elza Bajrami-Kastrati dhe Arlinda Muqa. Kundër votuan kryesuesi Arian Gashi, Kryeprokurori i Shtetit, Zejnullah Gashi, si dhe anëtari Milot Krasniqi.
Vendimi është marrë pas propozimit të zëvendëskryesuesit të KPK-së, Dardan Vuniqi.
Kryesuesi Arian Gashi ka propozuar që kjo çështje të shqyrtohet në një nga mbledhjet e ardhshme, me arsyetimin se paraprakisht duhet të zhvillohen konsultime edhe me Këshillin Gjyqësor të Kosovës.
“Nuk mendoj se sot Këshilli Prokurorial duhet të marrë çfarëdo vendimi lidhur me këtë çështje para se ajo të qartësohet dhe të diskutohet edhe me institucionet e tjera, siç e propozova më lart, me theks të veçantë me Këshillin Gjyqësor të Kosovës, sepse do të ishte e nevojshme një qasje e përbashkët. Kjo çështje ka pritur tërë këto vite, prandaj mund të presë edhe pak derisa të qartësohet plotësisht. Unë nuk kërkoj nga askush të votojë në një mënyrë të caktuar, por vetëm po shpreh qëndrimin tim, pasi jemi organ kolegjial dhe secili vendos me votën e vet”, ka deklaruar Gashi.
Ai ka shtuar se, përpara marrjes së një vendimi, duhet të përgatiten edhe materialet përkatëse. Propozimi i tij është përkrahur nga Kryeprokurori i Shtetit, Zejnullah Gashi, dhe anëtari Milot Krasniqi.
Në anën tjetër, anëtarja Arlinda Muqa është shprehur se kthimi i prokurorëve dhe stafit mbështetës serb mund të ndodhë vetëm nëse ata i nënshtrohen procedurave të rekrutimit. Ajo ka propozuar që të mbështetet propozimi i Dardan Vuniqit për refuzimin e kërkesave dhe dërgimin e emrave të tyre te Presidentja për lirim nga detyra.
“Jam absolutisht kundër kthimit të tyre në pozitat e prokurorëve dhe stafit administrativ në sistemin prokurorial të Kosovës. Dorëheqja është një akt juridik i njëanshëm dhe vullnetar, dhe sapo dorëzohet e protokollohet, vullneti i palës konsiderohet i konsumuar. Këta prokurorë në vitin 2022 e kanë bërë të qartë se nuk dëshirojnë të punojnë sipas Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës. E njëjta vlen edhe për stafin administrativ. Prandaj nuk shoh asnjë arsye ligjore për rikthimin e tyre. As Kushtetuta, as Ligji për Këshillin Prokurorial, Ligji për Prokurorin e Shtetit apo rregulloret e këtij Këshilli nuk parashohin mundësinë e tërheqjes së dorëheqjes pasi ajo është dorëzuar dhe protokolluar”, ka deklaruar Muqa.
Ajo ka theksuar se Kushtetuta, në nenin 110, ia njeh Këshillit Prokurorial kompetencën për emërimin, transferimin, avancimin dhe shkarkimin e prokurorëve, ndërsa neni 27 i Ligjit për Prokurorin e Shtetit e përcakton dorëheqjen si një nga mënyrat e përfundimit të mandatit. Ndërkaq, neni 26 i Ligjit për Këshillin Prokurorial përcakton se, në rast dorëheqjeje të një prokurori, Këshilli ia dërgon Presidentit propozimin për lirimin e tij nga detyra.
Edhe anëtarja Elza Bajrami-Kastrati është shprehur se nuk sheh arsye për shtyrjen e diskutimit, duke vlerësuar se të gjithë anëtarët tashmë i kanë dhënë qëndrimet e tyre dhe se çështja duhet të hidhet në votim.
“Këshilli Prokurorial nuk mund të krijojë kompetenca që ligji nuk ia njeh dhe nuk mund të ringjallë një mandat që juridikisht ka pushuar së ekzistuari. Veprimi i vetëm në përputhje me Kushtetutën dhe ligjin është konstatimi i përfundimit të mandatit. Nëse këta persona dëshirojnë të rikthehen në sistemin prokurorial, ekziston vetëm një rrugë ligjore: të konkurrojnë në një konkurs të ri publik, në kushte të barabarta me kandidatët e tjerë, duke kaluar të gjitha procedurat e verifikimit të integritetit, profesionalizmit dhe plotësimit të kushteve ligjore. Çdo zgjidhje tjetër do të ishte në kundërshtim me Ligjin për Prokurorin e Shtetit dhe me parimin e legalitetit”, ka deklaruar Bajrami-Kastrati.
Ajo ka bërë me dije se e mbështet propozimin e Dardan Vuniqit.
Edhe anëtari Visar Krasniqi e ka përkrahur këtë propozim.
“Është e vështirë të gjenden argumente ligjore që garantojnë se kthimi i tyre është në përputhje me Kushtetutën dhe ligjin. Unë sot e kam të pamundur të gjej argumente dhe të rreshtohem pro kthimit të tyre. Jam i bindur se mosverifikimi i integritetit të tyre është problem serioz dhe nuk marr guxim të votoj pro rikthimit të tyre, derisa koha të dëshmojë nëse këta persona kanë qenë pjesë e aktiviteteve që legjislacioni ynë nuk i njeh”, ka deklaruar Krasniqi.
Më pas, me katër vota pro, KPK-ja ka miratuar propozimin për refuzimin e kërkesave për tërheqjen e dorëheqjeve të pesë prokurorëve dhe stafit mbështetës serb, si dhe ka vendosur që emrat e tyre t’i dërgohen ushtrueses së detyrës së Presidentes për lirim nga detyra.
Gjithashtu, Këshilli ka shfuqizuar vendimin për pezullimin e pagave të tyre, i cili ishte marrë në kohën kur ata kishin paraqitur dorëheqjet.



