Nga Naçertania te deklarata e Paunoviqit, vazhdimësia e doktrinës shtetërore serbe dhe sfida e ballafaqimit me të kaluarën

20 korrik 2026 | 20:51

Shkruan: Hisen Berisha 

Ka momente në histori kur një deklaratë politike vlen më shumë se një mijë raporte diplomatike, më shumë se dhjetëra rezoluta dhe më shumë se vite të tëra propagande shtetërore.

Deklarata e ministres serbe Paunoviq është pikërisht një moment i tillë.

Ajo bëri atë që për vite me radhë nuk arriti ta bëjë as diplomacia e Kosovës dhe as raportet e organizatave ndërkombëtare. Me pak fjalë, ajo hoqi maskën e Beogradit dhe zbuloi fytyrën e vërtetë të politikës shtetërore serbe ndaj shqiptarëve.

Është paradoksale që këtë ta bëjë një ministre, e cila mban përgjegjësi të drejtpërdrejtë për peshën e fjalës së saj si përfaqësuese e një qeverie. Në opinionin publik të Pejës ajo ka qenë prej kohësh figurë e njohur dhe e përfolur edhe për të kaluarën e saj personale, një e kaluar që nuk është kursyer të komentohet as nga vetë shqiptarët. Megjithatë, më e rëndësishme se ajo e kaluar është arsyeja pse ajo shfaqi një urrejtje kaq patologjike ndaj shqiptarëve. Pikërisht kjo urrejtje duket se e çliroi nga çdo maskë diplomatike dhe e detyroi të artikulojë publikisht atë që politika zyrtare e Serbisë zakonisht përpiqet ta fshehë pas gjuhës së bashkëpunimit rajonal, paqes dhe integrimeve evropiane.

Për vite me radhë, Bashkimi Evropian dhe emisarë të ndryshëm u përpoqën të ndërtonin narrativën se Serbia kishte ndryshuar, se ishte shkëputur nga politika e Millosheviqit dhe se ishte shndërruar në faktor stabiliteti rajonal. Na u fol pa pushim për fqinjësi të mirë, dialog konstruktiv, kompromise historike dhe vlera evropiane në emër të stabilitetit në trajtën e statusquos apo të menxhimit të krizave jo zgjidhjes së tyre. Ndërmjetës si Josep Borrell dhe Miroslav Lajçak investuan kapital të konsiderueshëm politik për ta paraqitur Beogradin si partner të paqes.

Por deklarata e ministres serbe e hodhi në erë këtë investim politik e propagandistik.

Ajo tregoi se Serbia nuk ka ndryshuar asgjë në thelb nga filozofia shtetërore që prodhoi luftërat e fundit në ish-Jugosllavi. Nuk ka ndryshuar mënyrën se si e sheh shqiptarin, nuk ka ndryshuar kulturën politike mbi të cilën u ndërtuan krimet në Kroaci, Bosnje e Hercegovinë dhe Kosovë, as mendësinë që vazhdon të prodhojë gjuhë urrejtjeje ndaj popujve joserbë.

Deklarata e saj nuk ishte një gafë politike.

Ishte një rrëshqitje e së vërtetës.

Kur një ministre shpreh keqardhje që shqiptarët nuk u zhdukën gjatë luftës, ajo nuk flet vetëm si individ. Ajo artikulon një mendësi që është kultivuar për dekada në doktrinën politike, akademike dhe propagandistike të shtetit serb.

Pikërisht për këtë arsye, deklarata e saj nuk mund të lexohet si një reagim emocional apo si retorikë e rastit. Ajo duhet parë në dritën e një vazhdimësie historike të dokumentuar. Hulumtimet më të fundit arkivore, të mbështetura edhe në dokumentacionin diplomatik italian të vitit 1941, dëshmojnë se projektet kundër shqiptarëve nuk janë ndërtuar vetëm mbi përdorimin e forcës ushtarake, por edhe mbi një strategji afatgjatë të manipulimit të identitetit kombëtar.
Raportet e Konsullit Mbretëror Italian në Shkup dokumentojnë se administrata bullgare regjistronte sistematikisht shqiptarët myslimanë si turq, ndonëse vetë diplomacia italiane theksonte se shumica dërrmuese e tyre ishin shqiptarë. Qëllimi ishte i qartë, shqiptari duhej të zhdukej fillimisht si kategori juridike dhe kombëtare, përpara se të largohej fizikisht nga trojet e veta.

Ky dokument arkivor rrëzon një nga mitet më të mëdha të historiografisë zyrtare ballkanike.
Ai provon se spastrimi etnik nuk fillonte domosdoshmërisht me armë por, ai fillonte shumë më herët, në regjistrat civilë, në administratë, në manipulimin e statistikave, në kontrollin e institucioneve fetare dhe në mohimin gradual të identitetit kombëtar. Dhuna fizike vinte vetëm pasi ishte përgatitur terreni juridik dhe administrativ për ta bërë largimin e shqiptarëve të dukej si proces “ligjor” ose “administrativ”.

Prandaj kjo deklaratë nuk duhet parë si një incident diplomatik, por si prova më autentike se projekti i “Serbisë së re” ka qenë një iluzion politik i ndërtuar në kancelaritë evropiane.

Historia e shtetit serb është e mbushur me projekte shtetërore të dëbimit, spastrimit etnik dhe shfarosjes së popujve joserbë.
Nga “Naçertania” e Ilija Garashaninit, te memorandumet e Akademisë Serbe të Shkencave dhe Arteve, elaborati famëkeq i Vasa Çubrilloviqit për dëbimin e shqiptarëve dhe politika e zbatuar nga regjimi i Slobodan Millosheviqit, vijimësia ideologjike deri te Aleksandar Vuçiq, është e pandërprerë.

Por kjo vijimësi nuk është ndërtuar vetëm mbi përdorimin e forcës ushtarake. Ajo është mbështetur edhe mbi administratën shtetërore, regjistrat civilë, pronën, arsimin dhe institucionet fetare.
Dokumentet diplomatike italiane të vitit 1941 tregojnë qartë se politika e shkombëtarizimit nuk kishte për objekt komunitetin turk, por shqiptarët myslimanë, të cilëve fillimisht u ndryshohej identiteti administrativ dhe më pas u krijoheshin kushtet për shpërngulje.
Kjo dëshmon se inxhinieria e identitetit ishte pjesë përbërëse e projektit të spastrimit etnik.

Kjo nuk është vetëm çështje historie.

Është një filozofi politike që ka ndryshuar format dhe instrumentet, por jo objektivin strategjik.

Prandaj deklarata e ministres Paunoviq nuk është devijim nga politika serbe.

Ajo është vazhdimësi e saj.

E drejta ndërkombëtare është e qartë. Konventa për Parandalimin dhe Dënimin e Krimit të Gjenocidit e vitit 1948 nuk ndëshkon vetëm aktin e gjenocidit, por edhe nxitjen e drejtpërdrejtë dhe publike për kryerjen e tij. Gjuha që glorifikon ose shpreh keqardhje pse një grup kombëtar nuk është shfarosur nuk mund të relativizohet si retorikë politike apo si “mendim personal”.
Kur ajo artikulohet nga një përfaqësuese e një qeverie, merr peshë institucionale dhe politike, sepse perceptohet si reflektim i kulturës politike që përfaqëson.

Pikërisht për këtë arsye, deklarata e ministres serbe nuk duhet të trajtohet si një incident diplomatik kalimtar. Ajo duhet të shërbejë si objekt reflektimi serioz për institucionet evropiane, të cilat prej vitesh kanë ndërtuar strategjinë e tyre rajonale mbi supozimin se Serbia ka bërë një shkëputje të pakthyeshme nga trashëgimia politike e viteve nëntëdhjetë.
Kur një ministre shpreh publikisht keqardhje pse shqiptarët nuk u zhdukën gjatë luftës, ajo rrëzon me një fjali të vetme narrativën e ndërtuar për një Serbi të reformuar dhe të pajtuar me të kaluarën.

Megjithatë, ndërkohë që Beogradi vazhdon të prodhojë këtë gjuhë, burokratët e Evropës vazhdojnë t’i kërkojnë Kosovës të “shohë drejt së ardhmes”, të bëjë “kompromise të dhimbshme historike” dhe të ndërmarrë lëshime të reja politike në emër të stabilitetit rajonal.

Kompromisi më i madh dhe më i dhimbshëm që bëri Kosova, ishte krijimi i Dhomave të Specializuara, një mekanizëm të paprecedentë në historinë moderne të drejtësisë ndërkombëtare, ku në bankën e të akuzuarve përfunduan drejtuesit e luftës sonë çlirimtare, ndërsa një pjesë e konsiderueshme e materialeve hetimore u mbështet edhe në dokumentacion dhe struktura që burojnë nga aparati shtetëror serb, nga po ai aparat shtetëror që asnjëherë nuk u shkëput plotësisht nga doktrina politike që prodhoi agresionin kundër Kosovës.

Këtu qëndron paradoksi më i madh juridik dhe moral i Evropës moderne.

Paradoksi bëhet edhe më i rëndë kur kujtojmë se vetë arkivat diplomatike evropiane kanë dokumentuar prej dekadash politikat sistematike të shkombëtarizimit dhe të spastrimit etnik ndaj shqiptarëve. Dokumentet italiane, britanike dhe burime të tjera arkivore dëshmojnë se projekti për largimin e shqiptarëve nga trojet e tyre nuk lindi në vitin 1998, por ishte produkt i një politike shumë më të hershme shtetërore. Prandaj, ndërkohë që viktima vihet në bankën e të akuzuarve, përfaqësues të shtetit që trashëgon të njëjtën kulturë politike vazhdojnë të trajtohen si partnerë të privilegjuar në proceset diplomatike evropiane.

Ky paradoks bëhet edhe më i thellë kur analizohen burimet, narrativat dhe mënyra se si janë trajtuar informacionet që kanë ardhur nga struktura të aparatit shtetëror serb gjatë periudhës së pasluftës. Historia e afërt e rajonit ka dëshmuar se shteti serb, veçanërisht gjatë viteve të regjimit të Millosheviqit, nuk përdori vetëm forcën ushtarake dhe represionin, por edhe instrumentet e propagandës, dezinformimit dhe operacioneve të fshehta si pjesë të politikës së tij shtetërore.

Një rast domethënës që e ilustron këtë dimension është edhe ai i Dick Marty-t, ish-raportuesit të Këshillit të Evropës. Vite pas publikimit të raportit të tij, ai deklaroi publikisht se autoritetet zvicerane e kishin vendosur nën mbrojtje të veçantë për shkak të kërcënimeve serioze ndaj jetës së tij. Sipas deklarimeve të tij, ekzistonte dyshimi se qarqe të shërbimeve sekrete serbe mund të organizonin eliminimin e tij fizik dhe më pas ta paraqisnin atë si një veprim të kryer nga shqiptarët e Kosovës. Pavarësisht debatit që ka shoqëruar këtë çështje, vetë ekzistenca e një situate të tillë rrit domosdoshmërinë për një qasje shumë më kritike ndaj çdo informacioni që vjen nga struktura shtetërore të përfshira drejtpërdrejt në konflikt.

Në këtë kontekst, pyetja themelore nuk është nëse çdo material i ardhur nga një burim serb duhet të refuzohet përmes amandamentimit të Ligjit për DHomat Speciale, por nëse ai është vlerësuar me të njëjtin standard rigoroz verifikimi që kërkohet nga drejtësia ndërkombëtare.
Çdo proces i drejtë duhet të analizojë jo vetëm përmbajtjen e një informacioni, por edhe origjinën e tij, interesat e mundshme të burimit dhe kontekstin politik në të cilin është prodhuar.
Kjo është veçanërisht e rëndësishme kur kemi të bëjmë me një aparat shtetëror që ka një histori të dokumentuar të përdorimit të propagandës dhe manipulimit informativ gjatë konflikteve në ish-Jugosllavi.

Pikërisht këtu qëndron një nga shqetësimet më të mëdha morale dhe politike të rastit të Kosovës. Ndërsa drejtuesit e luftës çlirimtare u përballën me një proces gjyqësor ndërkombëtar, një pjesë e rëndësishme e narrativave që ndikuan në perceptimin ndërkombëtar për konfliktin e Kosovës u zhvilluan në një mjedis ku Serbia kishte qenë palë aktive në konflikt dhe ku trashëgimia e aparatit shtetëror të asaj periudhe ende kërkon një ballafaqim të plotë me të kaluarën.

Kjo do të thotë se çdo dokument apo informacion që vjen nga një burim serb duhet ti nënshtrohet një standardi të kontrollit dhe verifikimit maksimalisht i lartë, sepse drejtësia ndërkombëtare nuk mund të mbështetet vetëm mbi ekzistencën formale të një materiali, por duhet të vlerësojë edhe mënyrën se si ai është krijuar, nga kush është prodhuar dhe në çfarë rrethanash politike është përdorur.

Dhe pikërisht këtu shfaqet kontradikta më e madhe. Ndërsa Kosova pranoi një mekanizëm të jashtëzakonshëm drejtësie me bindjen se ai do të garantonte standarde universale dhe trajtim të barabartë, Serbia vazhdon të përballet shumë më pak me peshën e përgjegjësisë historike dhe me nevojën për një ballafaqim të plotë me të kaluarën.

Në njërën anë, përfaqësuesit politikë dhe ushtarakë të luftës çlirimtare të Kosovës mbahen prej vitesh në Hagë, në emër të drejtësisë ndërkombëtare dhe të nevojës për të shmangur pandëshkueshmërinë.

Në anën tjetër, përfaqësues të shtetit që ndërtoi dhe zbatoi politika sistematike të spastrimit etnik vazhdojnë të trajtohen si partnerë legjitimë në proceset e integrimit evropian, ndërsa deklarata që relativizojnë ose justifikojnë krimet përball “komplotit të heshtjes” rrezikojnë të kalojnë pa pasoja politike serioze.

Paradoksi bëhet edhe më i rëndë kur kujtojmë se vetë arkivat diplomatike evropiane kanë dokumentuar prej dekadash politikat sistematike të shkombëtarizimit dhe të spastrimit etnik ndaj shqiptarëve.
Dokumentet italiane të vitit 1941, por edhe burime të tjera diplomatike britanike e gjermane, dëshmojnë se projektet për dobësimin e elementit shqiptar nuk lindën me luftërat e viteve 1998–1999. Ato përfaqësojnë vazhdimësinë e një politike shumë më të hershme, e cila përdori administratën, regjistrat civilë, pronën dhe manipulimin e identitetit si instrumente për të ndryshuar realitetin demografik në favor të projekteve shtetërore.

Në këtë kuptim, deklarata e ministres serbe nuk zbulon diçka të panjohur për historianët. Ajo vetëm konfirmon publikisht atë që dokumentet arkivore e kanë dëshmuar prej kohësh: se filozofia politike mbi të cilën u ndërtuan projektet e dëbimit dhe të shkombëtarizimit nuk është çrrënjosur plotësisht nga mendësia shtetërore serbe.

Në njërën anë, Aleksandar Vuçiq, ish-ministër i regjimit të Slobodan Millosheviqit dhe pjesë e aparatit politik që mbështeti luftërat shkatërrimtare në ish-Jugosllavi, vazhdon të pritet në Bruksel, Paris dhe Nju Jork si partner për paqe dhe stabilitet.

Në anën tjetër, Kosova vazhdon të përballet me kërkesa të vazhdueshme për lëshime të reja politike, ndërsa viktimës i kërkohet vazhdimisht të dëshmojë pjekuri, kompromis dhe gatishmëri për pajtim.

Kjo nuk është drejtësi.

Kjo është relativizim i përgjegjësisë historike.

Është përpjekje për të krijuar një simetri morale ndërmjet agresorit dhe viktimës, ndërmjet atyre që organizuan politika të dëbimit dhe atyre që mbrojtën të drejtën e tyre për të jetuar të lirë në trojet e veta.

Prandaj, deklarata e ministres serbe duhet të zgjojë ndërgjegjen e çdo diplomati evropian që për vite me radhë na ka mbajtur leksione mbi kompromisin. Ajo duhet të zgjojë edhe ndërgjegjen e atyre që besuan se mjaftonte ndryshimi i elitave politike në Beograd për të ndryshuar edhe filozofinë mbi të cilën është ndërtuar politika shtetërore serbe.

Po aq, ajo duhet të zgjojë reflektim edhe te ata deputetë të Kuvendit të Kosovës që, nën presione të jashtëzakonshme ndërkombëtare, votuan krijimin e një gjykate të jashtëzakonshme me bindjen se drejtësia do të ishte universale, e barabartë dhe e paanshme.

Sot shtrohet pyetja legjitime se, a i ka shërbyer kjo drejtësi vërtet së vërtetës historike, apo në praktikë ka prodhuar një ekuilibër artificial politik ndërmjet viktimës dhe agresorit, ndërkohë që vetë përfaqësues të shtetit agresor vazhdojnë të artikulojnë publikisht gjuhë që rikujton filozofinë mbi të cilën u ndërtuan krimet e së kaluarës?

Ministrja serbe, ndoshta pa e kuptuar, i bëri Kosovës një shërbim të pavullnetshëm.

Ajo rrëzoi në pak minuta një narrativë që diplomacia serbe është përpjekur ta ndërtojë prej më shumë se dy dekadash.

Ajo demaskoi hipokrizinë e atyre që vazhdojnë ta paraqesin Serbinë si një shtet të reformuar, ndërkohë që në diskursin publik të përfaqësuesve të saj vazhdojnë të dalin në sipërfaqe elementë të një kulture politike të ndërtuar mbi mohimin e tjetrit.

Po aq e rëndësishme është se deklarata e saj na kujton një të vërtetë historike që shpesh harrohet se, projektet kundër shqiptarëve nuk kanë qenë vetëm ushtarake.

Ato kanë qenë njëkohësisht politike, diplomatike, administrative dhe demografike.

Dokumentet diplomatike italiane të vitit 1941, të nxjerra në dritë nga hulumtimet arkivore më të fundit, dëshmojnë se shqiptarët fillimisht regjistroheshin si “turq”, u kufizoheshin të drejtat mbi pronën, dobësohej përfaqësimi i tyre institucional dhe vetëm më pas krijoheshin kushtet për shpërngulje. Kjo provon se spastrimi etnik nuk fillon domosdoshmërisht me armë por, ai fillon kur shteti përdor administratën për ta ndryshuar identitetin juridik të një popullsie.

Ky është një mësim që nuk i përket vetëm historisë.

Ai mbetet aktual edhe sot.

Prandaj nuk mund të mos shqetësohemi kur shohim forma të reja të përdorimit të mekanizmave administrativë kundër shqiptarëve në rajon. Pasivizimi i adresave të shqiptarëve në Medvegjë, që sjell humbjen e të drejtave civile e politike, apo debatet që prekin mekanizmat e përfaqësimit të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, nuk janë çështje që duhen parë të izoluara. Ato rikujtojnë se administrata mund të përdoret jo vetëm për të qeverisur, por edhe për të transformuar gradualisht realitetin demografik dhe politik të një komuniteti.

Nuk është fjala për të barazuar periudha të ndryshme historike, por për të kuptuar se logjika e përdorimit të instrumenteve administrative për të prodhuar pasoja politike nuk është zhdukur nga Ballkani.

Historia na mëson se padrejtësitë më të mëdha shpesh nuk fillojnë me tanket.

Ato fillojnë në zyrat e administratës.

Fillojnë në regjistrat civilë.

Fillojnë në manipulimin e statistikave.

Fillojnë në cenimin e pronës.

Fillojnë në mohimin gradual të identitetit.

Pikërisht për këtë arsye, reagimi ndaj deklaratës së ministres serbe nuk duhet të kufizohet në një protestë diplomatike.

Ai duhet të shndërrohet në një argument të fuqishëm për diplomacinë e Kosovës dhe të Shqipërisë në çdo forum ndërkombëtar.

Bota demokratike duhet të kuptojë se pajtimi nuk ndërtohet mbi harresën, por mbi pranimin e së vërtetës.

Nuk mund të kërkohet normalizim i marrëdhënieve, ndërkohë që në diskursin zyrtar vazhdojnë të shfaqen deklarata që glorifikojnë ose relativizojnë projektet e spastrimit etnik.

Po ashtu, Bashkimi Evropian duhet të reflektojë seriozisht mbi qasjen e tij ndaj Serbisë. Stabiliteti afatshkurtër nuk mund të ndërtohet duke anashkaluar kulturën politike që vazhdon të prodhojë gjuhë urrejtjeje. Historia evropiane ka treguar shumë herë se tolerimi i narrativave të tilla nuk sjell stabilitet, por vetëm shtyn përballjen me problemin.

Evropa mund të vazhdojë të financojë misione ndërmjetësimi, të dërgojë emisarë dhe të prodhojë formula të reja kompromisi.

Por asnjë formulë diplomatike nuk mund ta ndryshojë të vërtetën historike.

Asnjë propagandë nuk mund t’i fshijë dokumentet arkivore që dëshmojnë vazhdimësinë e politikave të shkombëtarizimit dhe të spastrimit etnik ndaj shqiptarëve.

Asnjë proces politik nuk mund ta relativizojë faktin se shqiptarët janë popull autokton në trojet e tyre dhe se lufta e Kosovës ishte luftë për liri kundër një regjimi që ushtroi agresion, krime lufte dhe spastrim etnik.

Deklarata e ministres serbe nuk është thjesht një skandal diplomatik.

Ajo është një dëshmi.

Një dëshmi se mendësia mbi të cilën u ndërtuan projektet e dëbimit dhe të spastrimit etnik nuk është çrrënjosur plotësisht nga politika shtetërore serbe.

Një dëshmi se propaganda shumëvjeçare për “Serbinë e re” mbetet e brishtë përballë një momenti të vetëm të së vërtetës.

Një dëshmi se pa ballafaqim të sinqertë me të kaluarën nuk mund të ketë pajtim të vërtetë.

Sepse krimet nuk harrohen.

Gjenocidi nuk relativizohet.

Agresori nuk mund të barazohet me viktimën.

Dhe pa pranimin e së vërtetës historike, të mbështetur jo vetëm në kujtesën e viktimave, por edhe në dokumentet arkivore, në të drejtën ndërkombëtare dhe në faktet historike, nuk mund të ndërtohet as paqja e qëndrueshme dhe as e ardhmja evropiane e Ballkanit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
“Autostrada e pa përfunduar, pra dy kilometërshi i parë i…