RRUGA DREJT THEQAFJES!
Behxhet Sh. SHALA – BAJGORA
Autoritarizmi “demokratik”: LV-ja në me krye pronarin e saj Albin Kurthi, KM në detyrë me më shumë pushtet dhe fuqi se të gjithë kryeministrat e rregullt që nga përfundimi i luftës, po e shkruan ligjin dhe Kushtetutën ashtu si ia do qejfi! Nuk ka ligj apo Kushtetutë që i bindet nëse vetëm pak ia prekë pushtetin. Kapë çka të dojë, emëron kënd të dojë, shkarkon kënd të dojë ndërsa buxhetin e Kosovës e konsideron kuletë personale apo para xhepi. Nuk ka lënë komandant lufte, ushtarë të UÇK-së apo politikanë me të kaluar të luftës që nuk i ka sulmuar, si individë apo familjet e tyre duke i fyer dhe duke i quajtur hajna të korruptuar, tregtarë me toka shqiptare dhe tradhtarë të çështjes kombëtare. Plotë 20 vjet ka shpërndarë urrejtje dhe helm për të ardhur në pushtet. Dhe erdhi në pushtet! Tash përçarjen dhe urrejtjen ndaj çdo gjëje që ndërlidhet me luftën e UÇK-së dhe çështjen kombëtare e përdorë për të qëndruar në pushtet. Nuk ka zgjedhur mjete për kapje të pushtetit dhe nuk po zgjedhë mjete që këto kapje t’i shndërrojë në kategori kushtetuese të Kushtetutës së LV-së, meqë Kushtetuta e Kosovës për ta është rregullore e punës së Kosovapetrollit që e ka flamurin lara – lara e që ka rastisë të jetë edhe flamur zyrtar i Republikës së Kosovës. Albin Kurthi kërkoi 80 deputetë për ta përligjur diktaturën si qeverisje demokratike dhe për ta zgjedhur presidentin sipas formatit të bajrambegajt në Shqipëri apo, siç ka thënë Kurthi se i duhet një president nga shoqata e zjarrfikësve që do ta shuaj zjarrin në pronën e Fitore Pacollit në Marec e jo dikush që merret me politikë! Këto janë kriteret e Kurthit! Prandaj e provoi me Feriden, prandaj mund të vazhdojë me Feriden. Kurthi tha botërisht se i ka votat për Kuvend dhe qeveri që është shumë e vërtetë dhe se opozita i duhet vetëm për ta zgjedhur presidentin. Pastaj është ajo: “kalova lumin, ta q…a kalin”. Po të donte Kurthi bashkëpunim me opozitën, mënyra më e mirë do të ishte të thërrasë në një takim partitë opozitare me ç’rast do t’i informonte se LV-ja e njeh të drejtën e pakushtëzuar opozitës ta propozojë një emër për president, politik apo jopolitik, nuk ka rëndësi dhe se do të merrte votat e LV-së. Në këtë mënyrë LV-ja dhe Albin Kurthi, si padre padrino i saj do ta sillte opozitën në një situatë të sikletshme shkaku se opozita nuk do të merrej vesh asnjëherë për një kandidat të përbashkët andaj fajësia do të adresohej te opozita. Kurthi luftën kryesore e ka fajësimin e opozitës për dështim të zgjedhjes së presidentit ndonëse përgjegjësia dhe mundësia është 100 për qind e LV-së. Opozita është e pafuqishme përballë pushtetit shkaku i numrave dhe përçarjes së thellë që e kanë. Po të kishte Kosova një opozitë në këmbë, me vullnet për opozitbërje, LV-së duhet t’ia votojë çdo kandidat që e propozon dhe 5 minuta pas votimit do të fillonte me protesta të pandërprera deri sa pozita të mbledhë mend dhe të punojë për të mirën e qytetarëve dhe shtetit. LV-ja do zgjedhje dhe qeverisjen anarkike përmes riciklimit të krizave. Pa kontroll parlamentare, në errësirë totale, pa llogaridhënie, Kosova është shndërruar në plaçkë të LV-së, injorantëve, mediokërve antishtet dhe antikombëtarë që kanë metastazuar në të gjitha shtresat institucionale. Kurthi e ka të sigurt se me këtë opozitë të vdekur klinikisht, me një infuzion 400 milionë euro para zgjedhjeve, mund të blejë vota sa të dojë prandaj provokon zgjedhje pas zgjedhjeve. Aktualisht Kurthin mund ta rrëzojë vet Kurthi dhe protestat e përditshme derisa të krijohet masa kritike. Opozita po gabon kur mendon se gazi amerikan do të shndërrohet në kuti votimi për opozitën dhe ndëshkim për pozitën. Në fund Kurthi do ta pranojë gazin amerikan dhe opozita do të mbetet me gishta në gojë. Opozita po e luan lojën e Kurthit prandaj jemi ku jemi!
Lenka Quko alias Lenka Haxhiu: Edhe sikur Lenka Haxhiu ta kishte zënë peshkun e artë i cili do t’i përmbushte çdo dëshirë në këmbim të lirisë, Lenka Haxhiu nuk do të dinte të kërkonte nga peshku i artë pozitat që i mbanë sot dhe ato që i kishte dje. Aq shumë ka rënë përtokë morali, aq shumë ka degraduar integriteti profesional, aq po lartësohet injoranca dhe mediokriteti, aq lartë dhe aq fuqishëm po valvitet flamuri i patriotizmit të rremë. Si sinjalizuese dhe denoncuese, Lenka Haxhiu e paraqiti rastin e Zejnullah Gashit, k.prokuror i Prokurorisë Themelore, si përpjekje për ushtrim ndikimi, ndërkaq tani si bartëse e posteve që ia ka caktuar Kurthi, pa u bërë 24 orë nga paraqitja e kërkesës së KPK-së, e dekretoi Zejnullah Gashin kryeprokuror të shtetit. Çfarë dyfytyrësie dhe mungesë elementare të moralit! Një ndër argumentet për ekspresdekretim ishte se këtë e paska kërkuar shoqëria civile. E njëjta shoqëri civile për çdo ditë kërkon nga Lenka Haxhiu që me urgjencë ta thërrasë mbledhjen e seancës për votimin e legjislaturës së radhës së Kuvendit të Kosovës. Këtë kërkesë Lenka Haxhiu e shpërfillë deri në ditët e fundit të afatit kushtetues. Kur nuk ka qare pa e thirrë seancën! Me terma mjekësorë, thirrja e seancës konstituive të Kuvendit është çështje e ngutshme ndërsa dekretimi i kryeprokurorit është “operacion i ftohët”, që mund të presë një kohë, së paku deri sa Gjykata Kushtetuese të marrë vendim për rastin e ish-kryeprokurorit të shtetit Blerim Isufaj, brutalisht i pushkatuar nga Kurthi dhe paramilitarët e LV-së. Çfarë shteti!
Gjithçka është e kalbur në shtetin e Kosovës: Po e keqpërdori një thënie të Shekspirit si nëntitull por në vend të Kosovës duhet të jetë Danimarka. Qytetarët e Kosovës po e presin vendimin e Gjykatës Speciale Raciste me ndjenja të përziera, patriotët dhe kombëtarët me shpresë se do të lirohen kurse pushteti dhe LV-ja me shpresë se do të dënohen. Jam i sigurt se GJSR tashmë e ka një vendim, po e bëjnë gati arsyetimin. I tërë procesi është paragjykuar duke dhunuar brutalisht nga kjo Gjykatë parimi i prezumimit të pafajësisë. Nuk ka Gjykatë në historinë e njerëzimit që aq shumë ka abuzuar dhe që ka masakruar me ligjin dhe të burgosurit se kjo, që nga koha e Hamurabit dhe Prokrustit e deri më sot. Dhe nuk ka pasur dhe nuk ka pushtet që nuk i ka mbrojtur interesat e Gjykatës dhe që ka dëmtuar shtetasit e saj se që e bënë pushteti aktual i përfaqësuar nga Albin Kurthi, Xhelal Sfeqla, Albulena Haxhiu, Donika Shvarc, Glauk Konjufca, si ajka kombëtare e Bangladeshit e mos të flasë për zagarët e saj në Londër, Oslo, Nju Jork, Beograd me degën e saj aktive në Prishtinë. Në fund të maratonës së një krimi të paparë juridik të “drejtësisë” ndërkombëtare kundër udhëheqësve të luftës së UÇK-së, shpallësve të pavarësisë dhe ndërtuesve të Kosovës nga hiri, ço jepen deklarata të panevojshme dhe të pamatura. Dikush po thotë se e kallim Kosovën më kohën kur Gjykata është në Hagë, nipi politik i Arkanit në Prishtinë e mbron Gjykatën, dikush kërkon që Hashim Thaçi të propozohet president (kur ai ishte marrë peng pikërisht si president i Kosovës), dikush thotë se PDK-ja duhet ta votojë çdo propozim të LV-së për president me kusht që LV-ja ta shpërbëjë Gjykatën Speciale Raciste. Kjo është sikur të kërkoni nga Pont Pilati ta falë Krishtin apo të kërkoni nga Juda besnikëri ndaj Krishtit. Qeveria aktuale jo që nuk e shpërbënë GJSR por, përkundrazi është e vullnetshme ta formojë një Gjykatë tjetër që, në rast se GJSR nuk e shqipton dënimin e pritur dhe të dëshiruar, Gjykata tjetër e jep dënimin e pritur, të dëshiruar dhe të kërkuar. Kjo ishte kërkuar botërisht në Kuvendin e Kosovës, apo e kam gabim. Të poshtër dhe të pafytyrë!



