“Çfarë hipokrizie”, Zemaj: Qeveria premton kompensime të reja, por nuk ka paguar dëmet e vjetra
Deputeti i zgjedhur i LDK-së, Armend Zemaj, e ka quajtur hipokrite daljen e akterëve të LV-së që janë në pushtet për t’i vlerësuar dëmet që i ka shkaktuar breshëri ditëve të fundit.
Zemaj ka deklaruar se të njëjtit ende nuk i kanë kompensuar qytetarët për dëmet e shkaktuara nga vërshimet e viteve të kaluara, ndërsa sot pushtetarët e njëjtë po premtojnë se do t’i kompensojnë dëmet e reja.
“Akoma nuk është kompensuar asnjë familje, asnjë fermer dhe asnjë qytetar për dëmet e shkaktuara nga vërshimet e viteve të kaluara. Sot, e njëjta qeveri del sërish me premtime se do të evidentojë dëmet e reja dhe do t’i kompensojë të dëmtuarit. Çfarë hipokrizie! Çfarë paaftësie dhe keqmenaxhimi! Premtimet tuaja boshe nuk kanë më asnjë peshë, sepse qytetarët gjykojnë nga veprat, jo nga propaganda”, ka shkruar ai.



