Kurti: Kosova po bëhet gjithnjë e më shumë adresë për kompanitë ndërkombëtare
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka theksuar se vendimi i Wizz Air për ta vendosur bazën e saj në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, bashkë me avionin e ri Airbus A321neo, me kapacitet prej 239 ulësesh, përbën një lajm të mirë për Republikën tonë.
Ai ka theksuar se Kosova po bëhet gjithnjë e më shumë adresë për kompanitë ndërkombëtare, si vend i besueshëm, me perspektivë të qartë dhe me potencial për investime.
“Ndërsa për ne shtimi i linjave ajrore është çështje strategjike. Zhvillime si ky i shërbejnë fuqizimit në planin ekonomik, infrastrukturor e zhvillimor, sikurse krijojnë mundësi për lidhje të reja, lehtësojnë lëvizjen, afrojnë mërgatën tonë me vendlindjen dhe qytetarët e Kosovës me Evropën”, ka shkruar Kurti në “Facebook”.



