Ajeti takon kreun e Baden-Württembergut, paralajmëron kapitull të ri bashkëpunimi me Kosovën

22 korrik 2026 | 11:23

Ambasadori i Kosovës në Gjermani, Faruk Ajeti, ka zhvilluar një takim me kryeministrin e Landit të Baden-Württembergut, Cem Özdemir, të cilin e ka cilësuar si një hap të rëndësishëm drejt një faze të re në marrëdhëniet mes Kosovës dhe këtij landi gjerman.

Ajeti bëri të ditur se ishte ambasadori i parë i një shteti evropian që u prit nga Özdemir pas marrjes së detyrës si kryeministër i Baden-Württembergut.

Sipas tij, takimi shërbeu për të riafirmuar lidhjet e fuqishme që janë ndërtuar ndër vite mes Kosovës dhe këtij landi në fusha të ndryshme, përfshirë politikën, ekonominë, kulturën dhe marrëdhëniet shoqërore.

“Riafirmuam angazhimin tonë të përbashkët për ta thelluar partneritetin dhe për të krijuar mekanizma institucionalë të bashkëpunimit ndërmjet dy qeverive tona”, ka deklaruar Ajeti.

Ambasadori ka theksuar rëndësinë e veçantë që ka Baden-Württembergu për Kosovën, pasi aty jeton një nga komunitetet më të mëdha të mërgatës kosovare në Gjermani. Ai ka vlerësuar diasporën si një faktor kyç që lidh edhe më tej dy vendet.

Në fokus të takimit ishte edhe bashkëpunimi ekonomik, ku Ajeti ka përmendur kontributin e kompanive kosovare dhe gjermane në zhvillimin e marrëdhënieve tregtare.

Ai ka folur gjithashtu për lidhjet e fuqishme të transportit ajror mes Kosovës dhe këtij landi, duke bërë të ditur se vetëm gjatë kësaj jave janë planifikuar 25 fluturime direkte ndërmjet Prishtinës dhe Shtutgartit, si dhe katër fluturime të tjera me aeroportin Karlsruhe/Baden-Baden.

Sipas Ajetit, këto lidhje janë dëshmi e afërsisë mes qytetarëve, familjeve dhe bizneseve të të dyja vendeve.

Ambasadori është shprehur optimist se bashkëpunimi mes Kosovës dhe Baden-Württembergut do të zgjerohet edhe më tej, duke hapur mundësi të reja në fushat politike, ekonomike dhe kulturore.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka theksuar se vendimi i…