“Ekonomia private e financon shtetin”, Ramosaj me mesazh të drejtpërdrejtë për pushtetarët

22 korrik 2026 | 12:01

Profesori i ekonomisë dhe ish-deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Berim Ramosaj, ka deklaruar se ekonomia private është baza që e mban dhe e financon shtetin.

Në një diskutim në “Përballje Podcast” në “Telegraf”, Ramosaj tha se historia e zhvillimit ekonomik dhe vetë mendimi ekonomik kanë dëshmuar rolin vendimtar të sektorit privat në funksionimin e një vendi. “Unë ende besoj se shtetin dhe ekonominë e një vendi e mban ekonomia private. Këtë na e kanë treguar edhe historia e zhvillimit ekonomik, por edhe zhvillimi i mendimit ekonomik”, ka deklaruar Ramosaj.

Ai ka thënë se ekonomia private është burimi kryesor prej nga financohet buxheti i shtetit. “Privatët, ose ekonomia private, faktikisht e financojnë shtetin. Ekonomia publike nuk e financon shtetin, absolutisht”, është shprehur ai.

Sipas Ramosajt, taksat që paguhen nga bizneset dhe qytetarët mblidhen në buxhetin e shtetit, ndërsa institucionet publike kanë përgjegjësinë për t’i menaxhuar ato. “Këto taksa të privatëve mblidhen në një buxhet”, ka thënë ai.

Profesori i ekonomisë ka kritikuar mënyrën se si përfaqësuesit e institucioneve i paraqesin shpesh investimet publike si arritje personale.

“Kur del një kryetar komune dhe thotë: ‘Unë po jua shtroj këtë rrugë’, ose del kryeministri dhe thotë: ‘Unë po e bëj këtë rrugë apo këtë urë’, kjo është dëshmi se ende nuk e kuptojmë jetën normale”, ka deklaruar Ramosaj.

Ai ka theksuar se rrugët, urat dhe projektet e tjera publike nuk financohen me paratë personale të politikanëve, por me tatimet dhe taksat e qytetarëve dhe bizneseve.

Sipas tij, politikanët nuk janë pronarë të parave publike, por vetëm menaxherë të mjeteve që u janë besuar nga qytetarët përmes votës dhe institucioneve.

Ramosaj ka vlerësuar se sektori privat duhet të trajtohet si partner kryesor në hartimin e politikave ekonomike, pasi ai krijon vende pune, gjeneron të hyra dhe mban pjesën kryesore të barrës së financimit të shtetit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Të mërkurën në mëngjes, kryeministri hungarez Péter Magyar dhe ministri…