Stuhia në Shkup, mbi 30 të lënduar, disa me lëndime më serioze
Mbi 30 persona janë lënduar në Shkup si pasojë e stuhisë që ka goditur pjesë të ndryshme të Maqedonisë së Veriut.
Këta persona, kanë pësuar lëndime nga pemët dhe gjësendet e rëna nga erërat e fuqishme.
Në Klinikën Universitare “Shën Naumi i Ohrit” janë paraqitur 11 persona, prej të cilëve 9 janë mjekuar në mënyrë ambulatore, një i është nënshtruar operacionit dhe një turist është hospitalizuar.
Menaxherët e klinikave kanë njoftuar se pacientët kishin prerje dhe mavijosje, por ndodheshin në gjendje stabile, derisa njëri prej tyre u lëndua nga rrëzimi i një peme dhe degëve, një tjetër nga një llamarinë që ra nga çatia, ndërsa i treti nga tjegullat e rrëzuara.
Ndërkaq, drejtues të spitaleve kanë bërë të ditur se një paciente me lëndim në kokë dhe frakturë të kërcirit të djathtë është mbajtur për trajtim të mëtejshëm në Klinikën e Neurokirurgjisë.
Ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski njoftoi për pacientët e lënduar dhe dëmet nëpër spitale, për të cilat tha se po sanohen.
“Në Qendrën Klinike Nënë Tereza, gjegjësisht TOARILUC, kanë ardhur 11 persona nga moti i ligë, tre janë me thyerje më serioze dhe trajtohen në mënyrë të duhur në klinikë. Po përcjellim dëmet në shtëpitë e shëndetit. Në Qendrën Klinike ka rënë pemë, por nuk ka të lënduar, në spitalin psikiatrik në Bardovcë njëjtë pa të lënduar, ku ishte ndalur për disa orë edhe rryma, por u rikthye”, tha Sasho Klekovski.



