Fara vendore “Ilir”, rendiment më i lartë dhe cilësi më e mirë
Prodhimtaria e grurit në Kosovë pritet të jetë më e mirë se vitin e kaluar, pavarësisht vështirësive që shoqëruan mbjelljet për shkak të reshjeve të shumta. Fermerët dhe ekspertët vlerësojnë se përdorimi i farërave vendore po jep rezultate të larta në rendiment dhe cilësi, ndërsa sfidë kryesore mbetet çmimi i ulët i grurit në treg.
Bujar Berisha nga rrethina e Istogut këtë vit ka kultivuar 120 hektarë me grurë, prej të cilëve 70 hektarë janë mbjellë me farën vendore “Ilir”.
Edhe pse mbjelljet u shoqëruan me vështirësi për shkak të reshjeve të shumta, ai thotë se pret rendiment edhe më të lartë sesa vitin e kaluar.
“Pavarësisht kushteve të pafavorshme gjatë mbjelljes, presim prodhim më të mirë.
Mirëpo, problemi kryesor vazhdon të mbetet çmimi i ulët i shitjes së grurit,” thotë Berisha.
Ai vlerëson subvencionet e Ministrisë së Bujqësisë, por shpreh pakënaqësi për afatet e ndarjes së tyre.
“Subvencionet janë të mirëseardhura, por do të ishte shumë më e dobishme nëse do të shpërndaheshin më herët,” thekson ai.
Profesori i asociuar në Fakultetin e Bujqësisë dhe Veterinarisë në Prishtinë, Fadil Musa, thotë se hapi i parë drejt një prodhimtarie të suksesshme është zgjedhja e farës së duhur.
Sipas tij, matjet laboratorike kanë dëshmuar se kultivari vendor “Ilir”, i cili prej më shumë se një dekade testohet dhe prodhohet në fabrikën e farës së grurit në Klinë, së bashku me një kultivar tjetër vendor, ka dhënë rezultate dukshëm më të mira.
“Këto kultivare kanë arritur rreth 30 për qind rendiment dhe cilësi më të lartë krahasuar me shumë farëra të importuara që kultivohen tradicionalisht në Kosovë,” shpjegon profesori Musa.
Ai shton se, përveç rendimentit më të lartë, fara vendore “Ilir” ka treguar rezultate më të mira edhe për sa i përket përmbajtjes së proteinave, një tregues i rëndësishëm i cilësisë së grurit.
“Këto dy kultivare vendore kanë rezistencë më të lartë ndaj sëmundjeve dhe janë më të përshtatshme për kushtet klimatike të vendit tonë, duke ulur rrezikun për fermerët,” thekson Musa.
Sipas tij, rendimenti mesatar i grurit këtë vit në nivel vendi është pak më i lartë se një vit më parë, pavarësisht vështirësive gjatë mbjelljes.
“Mesatarisht pritet një prodhim prej 4 deri në 5 tonë për hektar,” thotë ai.
Megjithatë, profesori Musa vlerëson se çmimi i grurit vazhdon të mbetet i ulët dhe nuk i motivon mjaftueshëm prodhuesit.
Ndërkohë, këtë vit Ministria e Bujqësisë ka ndërmarrë masa të reja mbështetëse, duke subvencionuar me 5 centë për kilogram prodhuesit që arrijnë rendiment mbi 4.5 tonë grurë për hektar.
Agronomi Qëndrim Selimi, njëri nga drejtuesit e fabrikës së prodhimit të farërave të grurit në Klinë, thotë se puna për krijimin e këtyre varieteteve vendore ka nisur shumë vite më parë.
“Synimi ynë ka qenë zhvillimi i varieteteve vendore me prodhimtari të lartë, cilësi më të mirë dhe rezistencë më të madhe ndaj sëmundjeve dhe kushteve klimatike të Kosovës,” shprehet Selimi.
Ai thekson se rezultatet e deritanishme janë shumë inkurajuese.
“Këto dy varietete vendore arrijnë rreth 30 për qind prodhim dhe cilësi më të lartë se mesatarja e farërave tradicionale që kultivohen në vendin tonë. Përveç kësaj, ato kanë karakteristika të veçanta përshtatjeje sipas zonave të kultivimit,” thotë ai.
Selimi i vlerëson pozitive subvencionet, por thekson se fermerët duhet t’i kushtojnë rëndësi edhe kultivimit profesional të grurit dhe zbatimit të praktikave bashkëkohore bujqësore.
Sipas të dhënave, këtë vit në Kosovë me grurë janë mbjellë rreth 72 mijë hektarë tokë. /RTK/



