LV-LDK, larg marrëveshjes
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka vazhduar të mos u përgjigjet gazetarëve lidhur me formimin e institucioneve të reja, konstituimin e Kuvendit, formimin e Qeverisë dhe zgjedhjen e presidentit.
Mungesa e takimeve ndërmjet liderëve të partive politike dhe pamundësia për arritjen e një marrëveshjeje politike për formimin e institucioneve ka ndikuar që edhe ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ta zvarrisë thirrjen e seancës për konstituimin e Kuvendit. Megjithatë, Haxhiu ka paralajmëruar se të premten e kësaj jave do të bëhet e ditur data e mbajtjes së seancës.
“Për shkak se afatet kohore për zgjedhjen e presidentit rrjedhin nga dita e konstituimit të Kuvendit, e kam parë të nevojshme që t’u jepet hapësirë partive politike për marrëveshje. Të premten do ta bëj njoftimin se kur do të mbahet kjo seancë.”, tha Haxhiu.
Deputetja e LDK-së, Janina Ymeri, mendon ndryshe për mosthirrjen e seancës konstituive. Sipas saj, Haxhiu po synon ta zvarrisë seancën në mënyrë që të zvarritet formimi i institucioneve dhe zgjedhjet e reja të mbahen në dhjetor, për shkak të ardhjes së mërgatës.
“Kjo zvarritje i është përshtatur LVV-së për t’i shtyrë potencialisht, nëse s’ka asnjë pajtim për presidentin, zgjedhjet e reja sa më afër dhjetorit dhe sa më afër ardhjes së mërgatës. Por edhe për ta zgjatur kohën e qeverisë në detyrë, pa transparencë dhe pa llogaridhënie. Nuk ka pasur as marrëveshje, as marrëveshje në parim, as ndonjë pajtim për votim. Gjithçka kanë qenë tituj medialë, fjalë në studio të analistëve, por asgjë zyrtare, as brenda Grupit Parlamentar e as në komunikim me kryetarin Abdixhiku, tha Haxhiu.
LVV-ja synon që, përmes bisedimeve me LDK-në, të arrijë një marrëveshje politike me këtë subjekt për formimin e institucioneve, duke thënë se po pret derisa të përfundojë Kuvendi zgjedhor i LDK-së, për të vazhduar bisedimet. Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, tha se deri më tani nuk ka pasur marrëveshje.
“Nuk ka pasur. Po të kishte, do ta bënim publike.”, tha Haxhiu.
Insistimi i zyrtarëve të LVV-së se duan marrëveshje me LDK-në, për deputeten e këtij subjekti politik, Janina Ymeri, mbetet vetëm një dëshirë. Sipas saj, presionet e LVV-së ndaj LDK-së mund të bëhen, por nuk do të japin rezultate.
“Albin Kurti dhe LVV-ja kanë qenë kundër rugovizmit, por pse tash e krijojnë këtë narrativë, e ushqejnë dhe e shpërndajnë, është për të treguar se LDK-ja është në dorën e dikujt tjetër. LVV-ja mund të tentojë të bëjë presion ndaj LDK-së, por nuk ia del, siç nuk ia ka dalë as në vitin 2025. Gjithçka që mendohet nga LVV-ja është në formë dëshire. Po të kishte marrëveshje në parim, kjo do të kuptohej edhe brenda Grupit Parlamentar.”, deklaroi Ymeri.
Ndërkohë që LVV-ja po pret zhvillimet brenda LDK-së lidhur me mbajtjen e Kuvendit zgjedhor të këtij subjekti politik, sekretari i përgjithshëm i LDK-së, Ilir Ferati, tha gjatë ditës se ka përfunduar verifikimi i nënshkrimeve. Sipas tij, fillimisht do të njoftohet kryetari Abdixhiku, e më pas do të fillojnë përgatitjet teknike për mbarëvajtjen e Kuvendit zgjedhor të LDK-së, në mënyrë që, siç tha ai, sa më shpejt t’i jepet drejtim demokratik partisë. Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, kishte ndërprerë bisedimet me Kurtin për shkak të kërkesave për shkarkimin e tij./RTV21/21Media



