Çmimi i naftës arrin mbi 100 dollarë për fuçi për herë të parë pas dy muajsh
Çmimi i naftës ka kaluar pragun e 100 dollarëve për fuçi për herë të parë që nga muaji maj, ndërsa përshkallëzimi i konfliktit në Lindjen e Mesme po rrit shqetësimet për furnizimet globale.
Nafta bruto “Brent”, e cila shërben si referencë globale, është rritur me më shumë se 6% të enjten, duke arritur përkohësisht në 100.14 dollarë për fuçi, përpara se të shënonte një rënie të lehtë.
Shqetësimet për furnizimet globale me naftë janë rritur pasi rebelët Houthi të Jemenit kanë vënë në shënjestër anije saudite në Detin e Kuq, duke rritur rrezikun e bllokimit të një rruge të rëndësishme për eksportet e naftës së Arabisë Saudite.
Sipas analistëve, Arabia Saudite ka transportuar rreth 4 deri në 5 milionë fuçi naftë përmes Detit të Kuq dhe ngushticës Bab al-Mandeb, duke shmangur kështu ngushticën e Hormuzit. Kjo rrugë e rëndësishme për tregun global të naftës është tashmë në rrezik, pasi rebelët Houthi pretendojnë se kanë goditur dy cisterna saudite të enjten.
Çmimi i naftës “Brent” është rritur me rreth 27 dollarë për fuçi gjatë këtij muaji, që përbën një rritje prej më shumë se një të tretës së vlerës së mëparshme.
Hera e fundit që çmimi i “Brent”-it qëndroi mbi 100 dollarë për fuçi ishte më 22 maj, sipas të dhënave të “FactSet”.



