Policia e Kosovës shënon sot Ditën Memoriale të zyrtarëve të rënë në kryerje të detyrës

26 korrik 2026 | 08:40

Policia e Kosovës do të shënojë sot, më 26 korrik, Ditën Memoriale të Zyrtarëve të Policisë së Kosovës të rënë në kryerje të detyrës, përmes një sërë aktivitetesh përkujtimore në nderim të policëve që sakrifikuan jetën në mbrojtje të rendit, ligjit, sovranitetit të vendit dhe sigurisë së qytetarëve.

Sipas njoftimit të Policisë, në ceremonitë përkujtimore do të marrin pjesë përfaqësues të institucioneve më të larta të Republikës së Kosovës, drejtues të Policisë së Kosovës, përfaqësues të institucioneve të tjera, familjarë të të rënëve dhe qytetarë.

Aktivitetet do të nisin në orën 10:00 me homazhe shtetërore te Lapidari i Policëve të rënë në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Kosovës në Prishtinë.

Më pas, në orën 11:00, do të bëhen homazhe te varri i Heroit Afrim Bunjaku në fshatin Samadrexhë të Vushtrrisë, ndërsa në orën 11:15 delegacionet shtetërore do të vizitojnë familjen e tij.

Në orën 12:15 është planifikuar vizita në familjen e Heroit Enver Zymeri në Vushtrri, ndërsa aktivitetet do të përmbyllen në orën 13:30 me homazhe te lapidari në vendin e rënies së Heroit Enver Zymeri në Varagë të Zubin Potokut.

Policia e Kosovës ka ftuar mediat të përcjellin këto aktivitete, ndërsa u ka bërë thirrje qytetarëve të bashkohen në nderimin e kujtimit të zyrtarëve policorë që dhanë jetën në mbrojtje të rendit kushtetues, sigurisë publike dhe Republikës së Kosovës.

Sipas Policisë, sakrifica e tyre mbetet një frymëzim i përhershëm dhe një dëshmi e përkushtimit të institucionit në shërbim të qytetarëve dhe shtetit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Veprimtari Bardhyl Mahmuti ka kujtuar Adem Demaçin në 8-vjetorin e…