Fundjava me fluks në Morinë

26 korrik 2026 | 11:10

Fluksi i udhëtarëve drejt Shqipërisë përmes Pikës së Kalimit Kufitar Morinë ka shënuar një rritje të ndjeshme gjatë fundjavës së fundit të korrikut, duke regjistruar numrin më të lartë të hyrjeve të qytetarëve të Kosovës krahasuar me fundjavat e mëparshme të sezonit veror. Afrimi i muajit gusht dhe nisja e pushimeve vjetore kanë sjellë shtim të lëvizjeve, ndërsa autoritetet kufitare janë vënë në gatishmëri për menaxhimin e fluksit turistik.

Fundjava e fundit e muajit korrik ka shënuar fluksin më të lartë të hyrjeve të qytetarëve të Kosovës përmes Pikës së Kalimit Kufitar Morinë, krahasuar me fundjavat e muajve qershor dhe korrik.

Sipas të dhënave zyrtare të Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Emigracionin, në Stacionin e Policisë Kufitare Morinë, gjatë periudhës nga data 25 korrik 2026, ora 05:00, deri më 26 korrik 2026, ora 08:30, janë regjistruar 45,518 shtetas të Kosovës që kanë hyrë në territorin shqiptar, me gjithsej 12,790 automjete.

Autoritetet kufitare e lidhin këtë rritje të ndjeshme të lëvizjeve me afrimin e muajit gusht, periudhë gjatë së cilës nis pjesa më e madhe e pushimeve vjetore. Një ndikim të rëndësishëm në këtë fluks ka edhe ardhja e diasporës kosovare në vendlindje, e cila tradicionalisht zgjedh të kalojë një pjesë të pushimeve verore në bregdetin shqiptar, por edhe në destinacionet turistike malore të vendit.

Fluksi i lartë në Morinë pritet të vijojë edhe gjatë javëve në vazhdim. Strukturat e Policisë Kufitare në Morinë mbeten të angazhuara për të përballuar rritjen e lëvizjes së udhëtarëve dhe automjeteve gjatë sezonit turistik, përmes funksionimit me kapacitet të plotë të të gjitha sporteleve, zbatimit të marrëveshjes për kalimin pa kontrolle për mjetet me targa të Kosovës dhe Shqipërisë, si dhe procedurave të përshpejtuara për automjetet me targa të huaja.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një automjet është përfshirë nga flakët këtë të diel rreth…