Janjiqi: Vuçiqi ka frikë nga Radojçiqi, ai mund të dëshmojë kundër presidentit serb

26 korrik 2026 | 14:27

Raportet ndërmjet presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe Milan Radojçiqit, i akuzuar dhe i kërkuar në Kosovë për rastin e Banjskës dhe raste të tjera, janë delikate dhe jo aq të mira, për të mos thënë edhe të tronditura.

Kështu është shprehur themeluesi i Këshillit për Marrëdhënie Etnike në Beograd dhe njëri nga njohësit më të mirë të zhvillimeve politike dhe historike në Ballkan, veçanërisht në Kosovë dhe Serbi, Dushan Janjiq.

Sipas tij, Radojçiqi nuk është thjesht një figurë me të kaluar kriminale, por një lojtar jashtëzakonisht i fuqishëm dhe i rrezikshëm, i cili ka shtrirje më të madhe të ndikimit në pjesën veriore të Kosovës sesa vetë presidenti i Serbisë.

“E dini, unë jam përplasur me Radojçiqin rreth vrasjes së Oliver Ivanoviqit dhe, mbi të gjitha, për shkak të kritikave të ashpra, emocionale, por të argumentuara dhe të justifikuara, të Rada Trajkoviqit. Por, objektivisht, këtë e kam thënë atëherë dhe e përsëris edhe tani: Radojçiq është një lojtar më serioz dhe më i fuqishëm në atë hapësirë të vogël sesa Vuçiqi. Dhe ajo hapësirë e vogël nuk është vetëm Banjska, nuk është vetëm disiplinimi i Listës Serbe. Kjo shkon shumë më thellë, deri te bashkëpunimi me disa politikanë shqiptarë. Pra, Radojçiq nuk është thjesht një kriminel. Ndoshta ka një të kaluar kriminale, por ai është një njeri i aftë, shumë i aftë për zbatim dhe mbikëqyrje, jo për planifikim”.

Janjiq ka deklaruar se Radojçiq mund të ketë lidhje edhe me një rrjet të gjerë bashkëpunëtorësh, përfshirë edhe ata ndërkombëtarë, gjë që e bën atë një person të vështirë për t’u kontrolluar. Ai shtoi se nga veprimet e tij të mundshme në të ardhmen frikësohet jo vetëm Vuçiqi, por edhe qarqe të tjera në Beograd.

Sipas Janjiqit, Radojçiq nuk hyri në Banjskë pa një planifikim paraprak dhe pa dijeninë e Beogradit, por edhe të disa qendrave të mëdha ndërkombëtare.

“Për shkak të kontakteve të tij ndërkombëtare… jo vetëm për shkak të sanksioneve, ai tani është nën sanksione në Evropë, në Britani dhe, mendoj, edhe në Amerikë, por nuk është arrestuar. Prandaj, mendoj se njerëz si ai, si dhe i gjithë rasti i Banjskës, ndryshe nga rastet e tjera, kanë hyrë me vetëdije në një situatë të tillë për t’u bërë objekt ose subjekt negociatash dhe bisedimesh. Prandaj nuk jam i sigurt se cilat janë dyshimet dhe frikërat kryesore të Vuçiqit nga Radojçiqi. A është se, nëse e dënon, askush në Serbi nuk do të shqetësohej? Apo se Radojçiq mund të kthehet kundër tij dhe të dëshmojë kundër Vuçiqit? Marrëdhënia e tyre është shumë, shumë delikate. Mendoj se formalisht Radojçiq nuk është kumbar i tij. E dini, në traditën serbe kumbarët tradhtojnë njëri-tjetrin, por Vuçiq ka 350 kumbarë. Mund ta imagjinoni sa është rritur ndikimi i Radojçiqit, i cili di t’i përdorë ata. Unë nuk do të shqetësohesha për Radojçiqin, por Vuçiqi duhet të shqetësohet. Ndërsa, nëse duhet të përgjigjet për atë që ka ndodhur, po, duhet, me kusht që të hapen vërtet kartat, si amerikane ashtu edhe britanike, për të treguar çfarë ka ndodhur realisht”, ka deklaruar ai.

Sipas Janjiqit, e gjithë kjo situatë sugjeron se ngjarja në Banjskë mund të ketë qenë e njohur ose e monitoruar nga afër nga agjencitë e huaja, duke e kthyer atë në një mjet për negociata dhe presione të fshehta. /KosovaPress

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Barcelona është e gatshme ta nisë sezonin e ri pa…