Sekuestrohen 2.6 tonë kokainë në brigjet e Lisbonës, mes të arrestuarve edhe një shqiptar
Një operacion ndërkombëtar antidrogë, i koordinuar nga Prokuroria e Antimafias në Brescia të Italisë, ka çuar në sekuestrimin e mbi 2.6 tonëve kokainë dhe arrestimin e katër personave, mes tyre edhe një shtetas shqiptar.
Operacioni u zhvillua nga Guardia di Finanza e Brescias, përmes Komandës Operative Aeronavale dhe njësisë speciale S.C.I.C.O., në bashkëpunim me autoritetet e Spanjës dhe Portugalisë. Gjatë aksionit u ndalua një gomone oqeanike ultra e shpejtë e tipit “go-fast”, e bllokuar pranë brigjeve të Lisbonës nga Policia Detare portugeze.
Në bord ndodheshin katër persona, të cilët u arrestuan, dy shtetas spanjollë, një shtetas i Gjibraltarit dhe një shqiptar, ky i fundit banues në Mantova dhe me vendbanim në provincën e Brescias.
Sipas autoriteteve italiane, ngarkesa e sekuestruar ka një vlerë prej rreth 78 milionë eurosh në tregun e shumicës. Nëse do të arrinte në destinacion dhe do të shpërndahej në tregun e paligjshëm, droga do të gjeneronte një qarkullim të vlerësuar në rreth 500 milionë euro.
Hetimet zbuluan se grupet e krimit të organizuar po përdorin gjithnjë e më shpesh mjete lundruese të tipit “go-fast”, me gjatësi nga 10 deri në 16 metra dhe të pajisura me disa motorë të fuqishëm jashtëbordi. Monitorimi i mjetit u krye në mënyrë të vazhdueshme me avionë të Guardia di Finanza, të pajisur me teknologji të avancuar për mbikëqyrjen detare, të angazhuar në kontrollin e kufijve të jashtëm të Bashkimit Evropian. /Panorama



