Fillim fantastik në Bezirksligë për klubin shqiptar FC Kosova München e.V.

27 korrik 2026 | 14:44

Klubi shqiptar FC Kosova München e.V. e ka nisur në mënyrën më të mirë sezonin e ri në Bezirksligë, niveli më i lartë ku garon aktualisht një klub shqiptar në ligat e futbollit gjerman.

Në ndeshjen e parë të kampionatit, të zhvilluar të dielën, FC Kosova München regjistroi një fitore bindëse me rezultat 7:2 ndaj skuadrës TSV Moorenweis, duke dërguar një mesazh të qartë për ambiciet e saj këtë sezon.

Tre gola në këtë fitore spektakolare i realizoi Shqipdon Ademi, dy gola shënoi Ervin Kurti, ndërsa nga një gol kontribuan Mevlud Sherifi dhe Visar Aliji.

Klubi shqiptar nga Mynihu udhëhiqet nga presidenti Ilir Sinani, nënkryetari Fehmi Hoti dhe anëtarët e kryesisë Sabit Bytyqi, Pjetrush Dushi, Enver Mehmeti, Drilon Dermaku dhe Gazmend Hamiti. Drejtuesit e klubit kanë premtuar mbështetje maksimale për realizimin e objektivave sportive, ndërsa u kanë bërë thirrje të gjithë shqiptarëve që jetojnë në Mynih dhe rrethinë të jenë pranë ekipit gjatë këtij sezoni.

Një falënderim të veçantë klubi ia ka kushtuar sponsorit kryesor, “INN Spire Hotel” dhe familjes Ademaj, të cilët prej më shumë se tre vitesh mbështesin vazhdimisht FC Kosovën.

Në një njoftim në faqen zyrtare, klubi shkruan: “‘INN Spire Hotel’ dhe familja Ademaj janë sponsori kryesor i FC Kosovës edhe në Bezirksligë. Tash e më shumë se tre vjet, familja Ademaj është mbështetësja kryesore e klubit. Edhe në këtë kategori, ‘INN Spire Hotel’, me pronar Gazi Ademaj, do të jetë mbështetësi ynë më i madh. Sot, vëllezërit Ademaj ishin të pranishëm në fitoren 7:2 ndaj Moorenweis dhe i dhanë mbështetje të madhe skuadrës. Ata sollën edhe fanellat e reja që do t’i veshë ekipi në Bezirksligë. Çdo sukses i FC Kosovës në vitet e fundit lidhet edhe me mbështetjen e ‘INN Spire Hotel’ dhe familjes Ademaj. FC Kosova u është mirënjohëse.”

Po ashtu, FC Kosova München ka shprehur mirënjohje edhe për familjen Gega nga Suhareka, e cila shtroi drekën e fitores për futbollistët dhe stafin pas triumfit të thellë.

Në reagimin e publikuar në faqen zyrtare thuhet:  “Falënderojmë familjen Gega nga Suhareka për drekën e shtruar për skuadrën dhe stafin e FC Kosovës, pas triumfit 7:2 në Bezirksligë ndaj TSV Moorenweis. ‘Ristorante Da Serafino’ është ndër restorantet më të frekuentuara në Planegg/München. Familja Gega është gjithmonë në mbështetje të FC Kosovës.”

Me këtë fitore të thellë në javën hapëse, FC Kosova München e.V. konfirmon se synon të jetë një nga skuadrat pretendente në Bezirksligë edhe gjatë këtij edicioni.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Aleanca ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje se ka ndërtuar një kulturë…