Rinia e Aleancës i bashkohet peticionit të IKD-së: Ndarja e parasë publike para zgjedhjeve, manipulim për qëllime elektorale
Rinia e Aleancës, së bashku me kryetaren Albulena Kokollari, i është bashkuar nismës për nënshkrimin e peticionit të iniciuar nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), duke kërkuar mbrojtjen e integritetit të procesit demokratik dhe përdorimin e përgjegjshëm të parasë publike.
Përmes kësaj nisme, Rinia e Aleancës ka shprehur mbështetjen për qëndrimin publik të kryetarit Ardian Gjini, i cili e ka përkrahur këtë peticion, duke theksuar se ndarja e mjeteve financiare nga buxheti i shtetit pak ditë para zgjedhjeve nuk përbën politikë sociale, por keqpërdorim të parasë së qytetarëve për qëllime elektorale.
“Besojmë fuqishëm se përdorimi i parasë publike për ndikim në vullnetin e qytetarëve dëmton demokracinë dhe besimin në institucionet e vendit. Për shkeljen e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe keqpërdorimin e fondeve publike duhet të ketë përgjegjësi të qartë”, thuhet në reagimin e Rinisë së Aleancës.
Rinia e Aleancës u ka bërë thirrje të gjithë të rinjve dhe qytetarëve që t’i bashkohen peticionit të IKD-së, në mbështetje të transparencës, sundimit të ligjit dhe mbrojtjes së demokracisë në Kosovë.



