Anketa e Fakultetit të Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike të UP-së zbulon nevojat e tregut të punës në fushën e kompjuterikës

29 korrik 2026 | 11:26

Një anketë e realizuar këtë vit nga Departamenti i Inxhinierisë Kompjuterike në FIEK të UP-së, nën mbikëqyrjen e profesorit Kadri Sylejmani, ka shfaqur nevojat e industrisë dhe tregut të punës në Kosovë në fushat e kompjuterikës, teknologjisë së komunikimit dhe informacionit dhe mjeteve të inteligjencës artificiale.

Anketa është zhvilluar me 228 profesionistë dhe drejtues të lartë në industrinë kompjuterike të vendit, shumica nga të cilët janë zhvillues seniorë, udhëheqës ekipesh ose drejtues ekzekutivë të kompanive.

Nga anketimi i personave që janë pjesë shumë e rëndësishme e kësaj industrie vazhdimisht në zhvillim, kanë dalë nevojat për profesionistë të ndryshëm.

Më së shumti në industrinë kompjuterike, sipas anketës, po kërkohen zhvillues të softverëve dhe DevOps, një kombinim mes zhvilluesve softverikë dhe operacioneve të teknologjisë informative.

Pavarësisht kërkesës së madhe për profesionistë të tillë, mbi gjysma e drejtuesve në industrinë kompjuterike kanë treguar se kanë vështirësi për të gjetur ekspertët e nevojshëm. Aktualisht në tregun e punës më së shumti po vlerësohen njohuritë për dizajn softverësh, mjete të inteligjencës artificiale dhe sisteme inteligjente.

Më lehtë për të gjetur punë e kanë ata që njohin teknologjitë e uebit React e Node dhe gjuhën programuese Python.

Disiplinat me zhvillimin më të shpejtë janë ato që lidhen me sigurinë kibernetike, inteligjencën artificiale dhe cloud computing, derisa te një profesionist më së shumti çmohen aftësitë e punës në ekip dhe të menduarit kritik.

Gjysma e të anketuarve nga industria kompjuterike mendojnë se pagat në këtë sektor sillen nga 1000 deri në 1500 euro, ndërsa çereku i pjesëmarrësve të anketës besojnë se këto paga janë deri në 2000 euro në muaj.

Drejtuesit e industrisë rekomandojnë më shumë praktikë reale për studentët, përditësim të kurrikulave në harmoni me industrinë dhe fitim të aftësive të komunikimit për ekipe dhe klientë ndërkombëtarë.

Anketën e plotë mund ta gjeni në këtë vegëz.

Universiteti i Prishtinës në kuadër të angazhimeve të përditshme e të vazhdueshme për të qenë një universitet i kohës në të cilën po jetojmë, i kushton rëndësi të jashtëzakonshme përgatitjes së studentëve për epokën e inteligjencëes artificiale.

Për këtë qëllim u krijua edhe Qendra për Inteligjencë Artificiale (AIUP), drejtor i së cilës është zgjedhur profesori Kadri Sylejmani.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
FIFA dhe UEFA janë përfshirë në një tjetër përplasje të…