Rasti tragjik i Arlinda Zekajt, suspendohen kryeprokurorja e Pejës, prokurorja dhe 11 zyrtarë policorë

29 tetor 2026 | 17:02

Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) ka suspenduar kryeprokuroren e Prokurorisë Themelore në Pejë, Lumturije Vuçetaj, dhe prokuroren Arlinda Nallbani Gacaferri, për rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt nga i dyshuari, kunati i saj. Ky vendim vjen pasi kryeprokurori i Shtetit, Zejnullah Gashi, kishte rekomanduar suspendimin e tyre dhe kishte iniciuar procedurë disiplinore. Po ashtu, janë suspenduar 11 zyrtarë policorë. Ndërkaq, Kuvendi i Kosovës ka themeluar të enjten me 90 vota për Komisionin Hetimor Parlamentar për veprimet dhe mosveprimet e institucioneve lidhur me vrasjen e Arlinda Zekajt si dhe për trajtimin e dhunës ndaj fëmijëve dhe grave në familje.

Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), nën udhëheqjen e kryesuesit, Arian Gashi, mbajti të enjten një takim të jashtëzakonshëm, në të cilin shqyrtoi kërkesën e kryeprokurorit të Shtetit, Zejnulla Gashi, për fillimin e procedurës disiplinore ndaj kryeprokurores së Prokurorisë Themelore në Pejë, Lumturije Vuçetaj, dhe prokurores së rastit, njëherësh koordinatore për rastet e dhunës në familje, Arlinda Nallbani-Gacaferri.

Pas shqyrtimit të kërkesës së autoritetit kompetent (kryeprokurorit të Shtetit), Këshilli Prokurorial i Kosovës vendosi të themelojë panel hetimor për trajtimin e rastit si dhe miratoi propozimin për suspendimin e të dy subjekteve të hetimit, ndaj të cilave kërkohet zhvillimi i procedurës disiplinore.

Vendimet e Këshillit Prokurorial të Kosovës janë marrë në bazë të të gjeturave nga raporti me numër reference A. nr. 379/2026, e të paraqitura në kërkesën për fillim të hetimit disiplinor nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, që ndërlidhet me rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt nga i dyshuari, kunati i saj.

Gjithashtu, Këshilli Prokurorial mori vendim të caktojë për ushtruese të detyrës së kryeprokurorit në Prokurorinë Themelore në Pejë, Valbona Disha-Haxhosaj.

KPK-ja në këtë takim ka theksuar se mbetet i përkushtuar për ushtrimin e mandatit ligjor, garantimin e llogaridhënies dhe forcimin e integritetit të sistemit prokurorial, duke siguruar që të gjitha procedurat të zhvillohen në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Po ashtu, Policia e Kosovës (PK), bazuar në Ligjin e Policisë së Kosovës, Udhëzimin Administrativ për Shkeljet, Masat dhe Procedurat Disiplinore në Policinë e Kosovës si dhe rekomandimin e Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK), ka suspenduar 11 zyrtarë policorë lidhur me trajtimin e rastit të viktimës Arlinda Zekaj, të ndodhur në Vitomiricë të Pejës.

Ndaj zyrtarëve policorë është duke u zhvilluar një hetim paraprak nga Inspektorati Policor i Kosovës lidhur me veprimet apo mosveprimet e tyre për rastin në fjalë. Bazuar në rekomandimin e IPK-së, menaxhmenti i PK-së ka suspenduar: U. d. drejtorin rajonal në DRP-Pejë, shefin e Hetimeve Rajonale DRP-Pejë, komandantin e Stacionit Policor-Pejë, zv/komandantin e Stacionit Policor – Pejë, shefin e Sektorit të Hetimeve në Stacionin Policor-Pejë, U.d. shefin e Sektorit të Operativës në Stacionin Policor-Pejë, komandantin e Nënstacionit Vitomiricë dhe 4 (katër) hetues policorë të Stacionit Policor-Pejë.

Suspendimet janë bërë në interes të hetimeve të pavarura, llogaridhënies institucionale dhe përgjegjësive individuale, për trajtimin e rastit. Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar për ruajtjen e vlerave, integritetit dhe shërbimit në mënyrë të drejtë e të paanshme, si dhe do të bashkëpunojë ngushtë me të gjitha institucionet relevante.

Ndërkaq Kuvendi i Kosovës ka themeluar të enjten me 90 vota për Komisionin Hetimor Parlamentar për veprimet dhe mosveprimet e institucioneve lidhur me vrasjen e Arlinda Zekajt si dhe trajtimin e dhunës ndaj fëmijëve dhe grave në familje.

Komisioni do t’i ketë 11 anëtarë dhe mandat maksimal prej gjashtë muajsh.

Kryetar i tij do të jetë Burim Ramadani nga Aleanca, ndërsa zëvendëskryetar Adnan Rrustemi nga Lëvizja Vetëvendosje.

Qindra protestues kanë marshuar të mërkurën në Prishtinë duke kërkuar përgjegjësi institucionale për vrasjen e Arlinda Zekajt, e cila kishte kërkuar në vazhdimësi nga institucionet mbrojtje nga dhuna në familje.

Ajo dyshohet se u vra me sëpatë nga kunati i saj më 25 tetor, ndërsa bashkëshorti i saj po mbahej në ndalim për kanosje ndaj saj.

Vrasja e Zekajt, pas shtatë grave të tjera të vrara këtë vit, ka nxitur zemërim të madh në vend.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur të enjten në…