Konjufca: Historia e mërgatës shqiptare është histori e dhunës dhe dëbimit
Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, është shprehur se historia e mërgatës shqiptare dallon nga ajo e mërgatave të vendeve të tjera, pasi sipas tij, ajo është krijuar kryesisht si pasojë e okupimit, dhunës dhe rrethanave të vështira historike.
Konjufca ka marrë pjesë në një takim-drekë pune të organizuar nga Bashkësia Islame e Kosovës me imamë, kryetarë të xhamive, përfaqësues të komunitetit, xhemat dhe aktivistë të diasporës. Takimi është mbajtur në Medresenë “Alauddin” në Prishtinë.
Duke folur për historinë e mërgatës shqiptare, Konjufca është shprehur se ajo është formuar kryesisht gjatë periudhave të okupimit dhe shtypjes.
“Ne nuk jemi mërgatë e vështirësive, nuk jemi mërgatë e sfidave të jetës. Vendet që i kanë krijuar shtetet e tyre para 200 vjetëve kanë edhe mërgatë të sfidave të jetës, që ndërrojnë qytetin, vendin apo shtetin vetëm sepse duan ta ndryshojnë vendbanimin”, ka deklaruar Konjufca.
Sipas tij, pjesa më e madhe e shqiptarëve në diasporë janë detyruar të largohen nga vendi për shkak të rrethanave të rënda politike dhe historike.
“Populli shqiptar e ka mërgatën prej rrethanave, prej kushteve shumë të vështira. Mbi të gjitha, pjesa më e madhe e mërgatës sonë është gjatë kohës së okupimit, kur populli ynë është shtypur me dhunë, me mizori, me krime”, është shprehur ai.
Në këtë takim, drejtori i Drejtorisë për Diasporë në Bashkësinë Islame të Kosovës, Ekrem Simnica, ka vlerësuar lart rolin dhe kontributin e mërgatës shqiptare në ruajtjen e identitetit kombëtar dhe fetar.
Simnica e ka cilësuar diasporën si një nga përfaqësuesit më të rëndësishëm të shqiptarëve jashtë vendit, duke theksuar kontributin e saj në ndërtimin e xhamive dhe qendrave islame, edukimin e brezave të rinj dhe ruajtjen e lidhjeve me atdheun.
“Sot kemi pranë nesh ata që janë ambasadorët më të mirë të popullit tonë dhe të fesë sonë në botë. Ju jeni ata që me përkushtim e sakrificë ruajtët identitetin kombëtar e fetar, ndërtuat xhami e qendra islame, edukuat brezat e rinj dhe mbajtet gjallë lidhjen e diasporës me atdheun”, ka thënë Simnica.
Ai ka shtuar se kontributi i mërgatës është ndier edhe në Kosovë, veçanërisht në periudhat më të vështira.
“Ju keni qenë gjithmonë pranë familjeve tuaja, pranë vendlindjes, pranë shtetit të Kosovës dhe pranë Bashkësisë Islame të Kosovës. Në momentet më të vështira dhe në ditët më të mira, dora dhe zemra juaj kanë qenë gjithmonë hapur”, është shprehur ai.



