Kurti për gërmimet në Zubin Potok: Pengimi i Serbisë nuk do ta ndalë Kosovën në kërkimin e së vërtetës dhe drejtësisë

30 korrik 2026 | 15:52

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, është deklaruar rreth gërmimeve që po zhvillohen në fshatin Kalludër të komunës së Zubin Potokut, ku dyshohet për ekzistencën e një varreze masive.

Përmes një postimi në platformën sociale “X”, Kurti ka theksuar se edhe më shumë se një çerek shekulli pas përfundimit të luftës së viteve 1998-1999, familjet e personave të zhdukur me dhunë vazhdojnë të përballen me ankth dhe pasiguri.

“Pengimi i vazhdueshëm nga Serbia i përpjekjeve për të zbardhur fatin e këtyre njerëzve të pafajshëm nuk do ta ndalë Republikën e Kosovës në kërkimin e së vërtetës dhe drejtësisë”, ka shkruar Kurti.

Sipas tij, në Kalludër dyshohet se ndodhen mbetjet mortore të një grupi prej 23 intelektualësh nga Mitrovica, përfshirë mjekë, profesorë dhe aktivistë të të drejtave të njeriut, të cilët dyshohet se u rrëmbyen dhe u zhdukën më 19 prill 1999.

Kurti ka theksuar se ankthi vazhdon për familjet e 1,565 personave të zhdukur me dhunë, në mesin e të cilëve janë edhe më shumë se 100 fëmijë.

Ai ka deklaruar se institucionet e Kosovës do të vazhdojnë përpjekjet për gjetjen e personave të zhdukur dhe zbardhjen e fatit të tyre.

“Ne mbetemi të palëkundur në përkushtimin tonë për të gjetur çdo person të zhdukur, për të zbuluar çdo varrezë të fshehur dhe për t’i vënë para përgjegjësisë ata që janë përgjegjës, në mënyrë që familjet e të zhdukurve të gjejnë më në fund një masë paqeje dhe ngushëllimi”, është shprehur Kurti.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kristjan Asllani pritet ta vazhdojë karrierën në Serie A, por…