Pentagoni siguron furnizimin me ‘Patriot’ deri në vitin 2032, prodhimi pritet të trefishohet
Ushtria amerikane i ka dhënë kompanisë Lockheed Martin një kontratë me vlerë potenciale deri në 58.6 miliardë dollarë për prodhimin e interceptorëve PAC-3 MSE, të përdorur nga sistemi i mbrojtjes ajrore “Patriot”.
Kjo është marrëveshja më e madhe e këtij lloji për kompaninë amerikane dhe e shndërron një kontratë njëvjeçare prej 4.7 miliardë dollarësh, të shpallur në prill, në një program shumëvjeçar që mbulon vitet fiskale 2026–2032.
Megjithatë, kushtet përfundimtare, sasitë dhe afatet e dorëzimit do të përcaktohen gjatë zbatimit të kontratës. Për këtë arsye, shuma prej 58.6 miliardë dollarësh përfaqëson tavanin maksimal të marrëveshjes dhe jo domosdoshmërisht shpenzimin përfundimtar.
Lockheed Martin synon ta rrisë kapacitetin vjetor të prodhimit në 2 mijë interceptorë deri në vitin 2030.
Kompania ka bërë të ditur gjithashtu se planifikon të investojë 8 deri në 9 miliardë dollarë deri në fund të dekadës në më shumë se 20 objekte në Shtetet e Bashkuara.
Në fabrikën e kompanisë në Camden të Arkansasit, numri i punonjësve pritet të rritet nga rreth 1 mijë e 200 në 1 mijë e 850.
Marrëveshja vjen në një kohë kur Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj po përpiqen të sigurojnë rezerva më të qëndrueshme të sistemeve të mbrojtjes ajrore.
Sistemi “Patriot” është ndër sistemet më të kërkuara nga vendet e NATO-s dhe partnerët e SHBA-së, ndërsa zgjerimi i kapaciteteve të prodhimit shihet si pjesë e përpjekjeve të Uashingtonit për forcimin e bazës industriale të mbrojtjes.



