ShBA-ja zhbllokon 600 milionë dollarë për vaksinat në vendet më të varfra
Administrata e presidentit amerikan Donald Trump ka vendosur të lirojë menjëherë 600 milionë dollarë të miratuara nga Kongresi për Gavi-n, aleancën globale që ndihmon shtetet me të ardhura të ulëta të sigurojnë vaksina.
Departamenti amerikan i Shtetit njoftoi të mërkurën, më 29 korrik, se fondet do të vihen sërish në dispozicion pasi Gavi është zotuar të punojë për kalimin gradual nga vaksinat që përmbajnë konservues me bazë merkuri dhe për zgjerimin e alternativave më të reja pa këtë përbërës.
Vendimi ndryshon kursin e mëparshëm të Uashingtonit, i cili kishte mbajtur fondet për shkak të shqetësimeve të ngritura nga sekretari i Shëndetësisë, Robert F. Kennedy Jr., shkruan Reuters.
Gavi ndihmon vendet më të varfra të sigurojnë vaksina për mbrojtjen e fëmijëve nga sëmundje të ndryshme, përfshirë fruthin dhe difterinë.
Shtetet e Bashkuara kishin mbuluar rreth 13 për qind të financimit të organizatës, ndërsa ndërprerja e mbështetjes e kishte detyruar atë të ndërmerrte masa kursimi.
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, kishte sinjalizuar që në qershor se Uashingtoni duhej të riangazhohej me Gavi-n, duke përmendur shqetësimet e Kongresit dhe objektivat amerikane për shëndetin global.
Sipas njoftimit të ri, ShBA-ja pritet të rikthehet edhe në bordin drejtues të Gavi-t.



