Ancelotti paralajmëron revolucion te Brazili: Do të ndërtojmë një kombëtare të re

30 korrik 2026 | 16:46

Përzgjedhësi i Brazilit, Carlo Ancelotti, ka paralajmëruar një proces rindërtimi të “Seleçaos” pas zhgënjimit në Kupën e Botës 2026, ku kombëtarja braziliane u eliminua që në fazën e 1/8 së finales.

Brazili u mposht 2:1 nga Norvegjia, duke i dhënë fund ëndrrës për ta fituar trofeun e Kupës së Botës për herë të parë që nga viti 2002.

Ky ishte eliminimi më i hershëm i Brazilit në një Botëror që nga viti 1990, kur u eliminua nga Argjentina në të njëjtën fazë të garës. Para edicionit të vitit 2026, brazilianët kishin arritur të paktën në çerekfinale në tetë Kupat e fundit të Botës.

Norvegjia vazhdon të jetë kundërshtari i vetëm ndaj të cilit Brazili nuk ka arritur të regjistrojë fitore. Në pesë përballje mes dy kombëtareve, norvegjezët kanë tri fitore dhe dy barazime.

Pas përfundimit të turneut, Neymar ka njoftuar tërheqjen nga kombëtarja, ndërsa e ardhmja e futbollistëve me përvojë si Casemiro dhe Marquinhos mbetet e paqartë.

Ancelotti ka konfirmuar se fokusi i tij tani do të jetë ndërtimi i një skuadre të re, duke u dhënë mundësi edhe futbollistëve të rinj.

“Do të fillojmë të ndërtojmë një ekip të ri, duke vëzhguar dhe testuar lojtarë të rinj, por pa përjashtuar futbollistët që ishin me ne në Kupën e Botës dhe që ende kanë shumë për t’i dhënë kombëtares”, është shprehur tekniku italian.

Objektivi i radhës për Brazilin është Kupa e Amerikës 2028, ndërsa në shtator “Seleçao” pritet të zhvillojë dy ndeshje miqësore ndaj Australisë.

Ancelotti synon t’i shfrytëzojë këto sfida për t’u dhënë hapësirë talenteve të rinj dhe për të nisur përgatitjet për ciklin e ardhshëm, me synim Kupën e Botës 2030.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Blerim Isufaj, ka konfirmuar…