UEFA dhe 55 federatat anëtare kundërshtojnë propozimin e FIFA-s për përfshirjen e investitorëve privatë në pronësinë e kompeticioneve

31 korrik 2026 | 10:37

UEFA dhe 55 federatat e saj anëtare kanë publikuar një deklaratë të përbashkët, në të cilën kanë shprehur kundërshtimin e tyre të plotë ndaj propozimit të FIFA-s për transferimin e interesave të pronësisë mbi Kupën e Botës dhe kompeticionet e tjera të FIFA-s te investitorët privatë.

Në deklaratë, UEFA ka theksuar se Kupa e Botës përfaqëson një nga trashëgimitë më të rëndësishme të futbollit botëror dhe se e ardhmja e saj nuk duhet të vihet në shërbim të interesave financiare. “UEFA dhe 55 federatat e saj anëtare qëndrojnë të bashkuara. Ne e refuzojmë njëzëri dhe pa asnjë ekuivok propozimin e FIFA-s për të transferuar interesa pronësie mbi Kupën e Botës dhe kompeticionet e tjera të FIFA-s te investitorët privatë”, është thënë në deklaratë.

Sipas UEFA-s, Kupa e Botës nuk mund të trajtohet si një produkt investimi, pasi ajo përfaqëson një trashëgimi të ndërtuar ndër breza nga futbollistët, ekipet kombëtare dhe tifozët në mbarë botën.

“Kupa e Botës nuk mund të trajtohet si një produkt investimi. Ajo është një nga trashëgimitë më të mëdha sportive të futbollit. Është ndërtuar ndër breza nga futbollistët, ekipet kombëtare dhe tifozët në çdo kontinent. Asnjë pjesë e saj nuk duhet t’u dorëzohet investitorëve privatë. Kupa e Botës nuk është në shitje”, është theksuar në deklaratë.

UEFA ka kritikuar edhe mënyrën se si është zhvilluar procesi, duke e cilësuar si të munguar transparencën dhe konsultimin me federatat kombëtare. “Është e papërgjegjshme dhe e pajustifikueshme që një propozim me një rëndësi kaq të madhe për futbollin të jetë hartuar në fshehtësi dhe të jetë sjellë pranë miratimit pa asnjë konsultim domethënës me ata që kanë përgjegjësinë për të administruar dhe zhvilluar lojën”, është thënë në deklaratë.

Sipas UEFA-s, kjo përbën “një dështim të thellë të lidershipit” dhe një shmangie të FIFA-s nga përgjegjësia e saj si kujdestare e futbollit botëror.

Federatat evropiane kanë kundërshtuar edhe atë që e konsiderojnë si presion ndaj federatave kombëtare për të mbështetur propozimin. “Federatat kombëtare në mbarë botën po përballen tashmë me një ultimatum: ose të pranojnë kalimin e pakthyeshëm të kompeticioneve më të rëndësishme të futbollit nën kontrollin e interesave private, ose të përballen me pasojat. Ky nuk është një ‘vendim demokratik’, por një model qeverisjeje përmes intimidimit – një akt presioni që nuk i shkon për shtat një institucioni të ngarkuar me përgjegjësinë për administrimin e futbollit botëror”, është theksuar më tej në deklaratën e UEFA-s`.

UEFA ka bërë me dije se kundërshtimi ndaj propozimit të FIFA-s nuk lidhet vetëm me mënyrën se si është zhvilluar procesi, por edhe me pasojat që mund të ketë për të ardhmen e futbollit botëror.

“Në momentin që investitorët e jashtëm fitojnë interesa pronësie në kompeticionet e FIFA-s, futbolli ndryshon përgjithmonë. Kthimi financiar i investimit bëhet një detyrim i përhershëm. Pritshmëritë e investitorëve shndërrohen në një presion të përditshëm”, është thënë në deklaratë. Sipas UEFA-s, një model i tillë mund të ndikojë në vendimmarrjen për kalendarin ndërkombëtar, formatin e kompeticioneve dhe drejtimin e ardhshëm të futbollit. “Që nga ai moment, çdo vendim për kalendarin ndërkombëtar, çdo vendim për formatin e kompeticioneve dhe çdo vendim që përcakton të ardhmen e futbollit nuk do të udhëhiqet më nga ajo që i shërben më mirë lojës, por nga ajo që i shërben më mirë aksionarëve”, është theksuar në deklaratë.

UEFA ka paralajmëruar se interesat e federatave kombëtare, ligave, klubeve, futbollistëve dhe tifozëve nuk duhet të vendosen në plan të dytë përballë interesave financiare të investitorëve. “Ky model nuk ka vend në futbollin botëror. E ardhmja e futbollit nuk mund të diktohet nga pritshmëritë e atyre, detyra kryesore e të cilëve është të maksimizojnë fitimin financiar. Futbolli nuk mund ta hipotekojë të ardhmen e tij për përfitime ekonomike”, është thënë në deklaratë.

Qëndrimi i UEFA-s, sipas deklaratës, është i prerë dhe nuk do të ketë kompromis për këtë çështje. “Ne nuk do t’i japim kurrë legjitimitetin tonë këtij modeli. Askush nuk ka autoritetin moral të shesë diçka që vetëm e mban në besim për brezin e ardhshëm”, është theksuar në deklaratë.

Në fund, UEFA dhe federatat e saj anëtare kanë paralajmëruar se përfaqësueset kombëtare evropiane nuk do të marrin pjesë në kompeticionet e FIFA-s për sa kohë që propozimet për pronësinë private mbeten në fuqi. “Si rezultat i diskutimeve të sotme, asnjë përfaqësuese kombëtare e federatave anëtare të UEFA-s nuk do të marrë pjesë në asnjë kompeticion të FIFA-s për sa kohë që këto propozime mbeten në fuqi, përveç rastit kur ky propozim të jetë tërhequr plotësisht dhe të jenë dhënë garanci detyruese se FIFA nuk do ta hapë më kurrë qeverisjen apo kompeticionet e saj ndaj pronësisë private. Askush nuk duhet të ketë asnjë dyshim: UEFA dhe federatat e saj kombëtare do t’i kundërshtojnë këto plane me vendosmëri absolute”, është thënë në deklaratën e UEFA-s.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeqyteti ka reaguar lidhur me materialet e publikuara që përmbajnë…