Kur Odiseu i flet njeriut të sotëm

31 korrik 2026 | 10:57

Lulëzim ETEMAJ

Ka vepra që nuk plaken kurrë. Ato nuk i përkasin vetëm kohës kur u krijuan, por çdo epoke që përpiqet të kuptojë njeriun, luftën, humbjen dhe shpresën e tij. Poema epike e Homerit, “Odisea”, një nga kryeveprat më të vjetra të letërsisë botërore, është njëra prej tyre. Për më shumë se tre mijë vjet ajo ka frymëzuar breza lexuesish, artistësh dhe studiuesish. Tani Christopher Nolan e rikthen këtë epope të jashtëzakonshme në ekran, duke e shndërruar atë në një përvojë moderne kinematografike.
Për ta kuptuar më mirë filmin, duhet të kujtojmë fillimisht se kush ishte Odiseu. Ai ishte mbreti i Itakës dhe një nga figurat më të rëndësishme të Luftës së Trojës. Ndryshe nga ata heronjtë që mbështeten kryesisht te forca e tyre fizike, Odiseu dallohet për zgjuarsinë, strategjinë dhe aftësinë për ta fituar betejën jo vetëm me shpatë, por edhe me mendje. Tradita mitologjike ia atribuon atij edhe idenë e Kalit të Trojës, mashtrimin e paraqitur në formën e një dhurate, që çoi në rënien e këtij qyteti.
Nga miti i Kalit të Trojës u bë e njohur edhe thënia e Virgjilit: “Kam frikë nga grekët (danajt), edhe kur sjellin dhurata”. Ajo vazhdon të përdoret edhe sot si paralajmërim se pas një gjesti në dukje bujar mund të fshihen mashtrimi, interesat dhe prapaskenat.
Por fitorja në luftë nuk është fundi i historisë së tij. Sfida e vërtetë fillon pikërisht pas saj, kur ai niset drejt Itakës. Udhëtimi që, sipas Homerit, zgjat dhjetë vjet, e vendos atë përballë Ciklopit Polifem, Sirenave, Circes, Kalipsës dhe një mori sprovash që tejkalojnë kufijtë e fantazisë. Në thelb, këto nuk janë thjesht aventura mitologjike; ato janë sprova morale që tregojnë se kthimi në shtëpi mund të jetë më i vështirë sesa fitimi i një lufte.
Pikërisht këtu Nolan vendos theksin e tij. Filmi nuk e trajton Odiseun vetëm si një luftëtar legjendar, por si një njeri të plagosur nga lufta, që bart peshën e zgjedhjeve të veta dhe përpiqet të rikthehet në Itakë, por edhe te vetja. Përtej spektaklit të përbindëshave dhe betejave, regjisori kërkon të zbulojë pasojat psikologjike të luftës dhe gjurmët që ajo lë në shpirtin e njeriut.
Në këtë pikë qëndron edhe shtresa më e thellë simbolike e filmit. Kthimi në Itakë nuk është një fund i lumtur në kuptimin klasik. Është një rikthim fizik, por jo domosdoshmërisht një rikthim i plotë shpirtëror. Lufta e Trojës e ka ndryshuar Odiseun përgjithmonë dhe ai nuk mund të jetë më njeriu që ishte para nisjes. Në njëfarë mënyre, lufta e ka bërë edhe atë një të burgosur të saj.
Edhe kur mbërrin në shtëpi, Odiseu mbetet në një farë mënyre i mërguar brenda vetes. Në interpretimet e mëvonshme të mitit, pas kthimit në Itakë ai do të ndërmarrë një tjetër udhëtim, si një akt pajtimi me hyjnitë dhe me fatin e tij. Kështu, ai bëhet simboli i njeriut që udhëtimin më të vështirë nuk e bën nëpër dete, por brenda vetes.
Po aq domethënës është edhe raporti i tij me bashkëluftëtarët e vrarë. Odiseu është një nga të paktët që kthehet nga Troja. Gjatë rrugës i humb të gjithë shokët e tij dhe bëhet bartësi i kujtesës së tyre. Prandaj kthimi në Itakë nuk është vetëm një fitore personale; është edhe një akt nderimi për ata që nuk patën mundësinë të ktheheshin. Ai mbijeton, por mbijetesa e tij ka një çmim: barrën e kujtesës. Në këtë kuptim, Odiseu nuk është vetëm fitimtari i Trojës; ai është dëshmitari i brezit të tij.
Vizualisht, filmi është shumë mbresëlënës. Peizazhet monumentale, ritmi i rrëfimit dhe mënyra se si Nolan ndërton tensionin krijojnë një atmosferë epike, por duke e ruajtur dimensionin njerëzor të historisë. Personazhet nuk janë vetëm figura mitologjike; ata mbartin plagët e luftës, mallin për shtëpinë dhe dilemën morale që lind pas çdo fitoreje.
Në atë atmosferë epike pati edhe një detaj që më befasoi këndshëm. Mes orkestrimit madhështor dallova tinguj që më dukeshin çuditërisht të afërt: jehonën e fyellit shqiptar.
Në fillim nuk më besohej se po dëgjoja tinguj të traditës sonë në një film të përmasave botërore. Ishte një ndjesi e veçantë. Më bëhej sikur një copëz e zërit të maleve tona krenare të kishte udhëtuar larg dhe të kishte gjetur vendin e saj në një nga tregimet më të mëdha të njerëzimit.
Kjo më shtyu ta verifikoja. Dhe befasia ishte edhe më e bukur. Konfirmimi që mora ishte ky: Vendim Kapaj, së bashku me grupin Djemtë e Delvinës, ka marrë pjesë si solist me fyellin e tij tradicional shqiptar të barinjve në kolonën zanore të filmit. Sipas informacioneve të publikuara, kompozitori ka udhëtuar edhe në jug të Shqipërisë për të regjistruar këta tinguj autentikë, duke kërkuar atë frymë të lashtë dhe natyrore që mbart ky instrument.
Në atë moment, muzika për mua nuk ishte më thjesht një shoqërim i figurave në ekran. Ajo u bë një urë mes kohëve dhe kulturave: mes botës së Homerit, Mesdheut të përbashkët dhe shpirtit të një tradite shqiptare që përkundër sfidave të shumta vazhdon të jetojë.
Në fund, “Odiseu” nuk është vetëm një film për një hero të lashtësisë. Ai është një reflektim mbi luftën dhe pasojat e saj, mbi besnikërinë, humbjen dhe identitetin. Nolan nuk e trajton mitin si një relikt, por si një histori që vazhdon t’i flasë njeriut të sotëm.
Sepse Itaka, në fund të fundit, nuk është vetëm një vend gjeografik. Ajo është simboli i paqes që secili kërkon, por që askush që ka kaluar nëpër flakët e luftës nuk e gjen plotësisht. Kjo e bën historinë e Odiseut të mbetet, edhe pas mijëra vitesh, universale dhe thellësisht njerëzore.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Gjiganti gjerman Bayern Munich ka shënuar fitore të thellë në…