Haxhiu: Regjistrimi i deputetëve nis më 3 gusht, seanca konstituive më 6 gusht
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës dhe ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ka dhënë detaje lidhur me takimin me përfaqësuesit e partive politike, duke konfirmuar hapat e radhës për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.
Haxhiu ka bërë të ditur se, pas certifikimit të rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të 7 qershorit nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve më 8 korrik, është caktuar seanca e parë e legjislaturës së re.
“Me 8 korrik, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të Kosovës certifikoi rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme të 7 qershorit. Në bazë të kësaj, Presidenti i Republikës së Kosovës thirri mbledhjen e parë të Kuvendit. Në përputhje me Kushtetutën, seanca konstituive do të mbahet më 6 gusht, në orën 10:00”, ka thënë Haxhiu.
Ajo ka bërë të ditur se rendi i ditës i seancës konstituive përmban katër pika: formimin e Komisionit të Përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe mandateve, shqyrtimin e raportit të këtij komisioni, betimin e deputetëve, si dhe zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit të Kosovës.
Haxhiu ka njoftuar gjithashtu se administrata e Kuvendit ka përfunduar përgatitjet për regjistrimin e deputetëve.
“Regjistrimi i deputetëve do të bëhet më 3 gusht për Lëvizjen Vetëvendosje, më 4 gusht për Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe më 5 gusht për Aleancën dhe deputetët që përfaqësojnë komunitetet joshumicë në Republikën e Kosovës”, ka deklaruar Haxhiu.



