Haxhiu: Rizgjedhja e Abdixhikut hap rrugën për vazhdimin e takimeve për presidentin
Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, e ka mirëpritur rizgjedhjen e Lumir Abdixhikut në krye të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), duke e cilësuar këtë zhvillim si mundësi për rifillimin e takimeve ndërmjet partive politike për çështjen e zgjedhjes së presidentit të vendit.
Haxhiu ka thënë se përfundimi i Kuvendit të Jashtëzakonshëm të LDK-së ka qartësuar situatën brenda partisë, duke hapur rrugën për vazhdimin e dialogut politik.
Ajo ka theksuar se nuk i takon asaj të komentojë proceset e brendshme të LDK-së, por ka vlerësuar se është e rëndësishme që takimet ndërmjet partive të rifillojnë sa më shpejt.
“Së pari, është lajm i mirë që tashmë kemi pasur një mbledhje të LDK-së dje. Pra, lajm i mirë në kuptimin që tashmë mund të vazhdojnë takimet, sepse, siç e dini, ato janë të pezulluara deri në qartësimin e situatës brenda LDK-së. Sigurisht që nuk është në mandatin tim, as në përgjegjësitë e mia, sidomos jo në cilësinë që jam, të flas për atë çështje, por është shumë e rëndësishme që takimet të vazhdojnë. Pra, ato të fillojnë dhe të mbahen”, ka deklaruar Haxhiu.
Ajo ka bërë thirrje për angazhim maksimal dhe seriozitet nga të gjitha palët, në mënyrë që të arrihet një marrëveshje politike me konsensus për zgjedhjen e presidentit ose presidentes së Republikës së Kosovës.
“Është shumë e rëndësishme që të ketë përpjekje maksimale, seriozitet, që të arrihet një marrëveshje me të cilën arrijmë të kemi një konsensus për zgjedhjen e presidentit apo presidentes së vendit. Pra, është shumë e rëndësishme që këto takime të vazhdojnë sa më parë”, ka thënë Haxhiu. /EO



