Shkarkimi i gjyqtarëve serbë, Haxhiu: Lajm i keq që KGjK-ja nuk veproi njëjtë sikurse KPK-ja
Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, e ka cilësuar si lajm shumë të keq vendimin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGjK) për të mos ndërprerë kontratat e punës së gjyqtarëve serbë, në dallim nga veprimi i Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK).
Haxhiu ka bërë të ditur se i ka dërguar një shkresë kryesuesit të KGjK-së, në të cilën e ka njoftuar për një raport që, sipas saj, lidhet me integritetin e gjyqtarëve serbë.
Ajo ka thënë se e ka ftuar kryesuesin e KGjK-së edhe në një takim, por deri më tani nuk ka marrë përgjigje.
“Lajm shumë i keq që atë ditë KGjK-ja nuk veproi njëjtë sikurse KPK-ja dhe në linjë me përgjegjësitë ligjore. I kam dërguar shkresë kryesuesit të KGjK-së dhe e kam njoftuar për raportin që unë kam në raport me integritetin e gjyqtarëve serbë. S’më është përgjigjur në atë letër. E kam njoftuar për disa çështje dhe i kam thënë që e pres në takim”, ka thënë Haxhiu.
Ajo ka kërkuar nga KGjK-ja që të veprojë sa më shpejt në përputhje me përgjegjësitë e saj.
“Pres që sa më parë KGjK-ja të veprojë në raport me përgjegjësitë”, ka shtuar Haxhiu.



