Arrestohet në Kosovë një i kërkuar nga Interpoli, përdorte identitetin e një personi të vdekur

31 korrik 2026 | 13:48

Prokuroria dhe Policia e Kosovës kanë zbuluar një rast të rëndë të keqpërdorimit të identitetit, i cili ka çuar në arrestimin e një shtetasi shqiptar të kërkuar ndërkombëtarisht për vrasje dhe vepra të tjera të rënda penale.

Sipas njoftimit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, operacioni është zhvilluar në koordinim me Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK) të Policisë së Kosovës, si dhe me partnerët ndërkombëtarë të zbatimit të ligjit.

Hetimet kanë nisur më 17 qershor 2026, kur një person me inicialet B.K. është paraqitur në Agjencinë e Regjistrimit Civil (ARC) për të vazhduar dokumentet e identifikimit. Gjatë verifikimit, zyrtarët kanë zbuluar se identiteti i përdorur i përkiste një personi që kishte vdekur prej shumë vitesh, duke ngritur dyshime për keqpërdorim të identitetit.

I dyshuari është shoqëruar në polici dhe është intervistuar në prani të avokatit, por ka zgjedhur të mos japë deklaratë. Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, ai është ndaluar për 48 orë, ndërsa më pas Gjykata ka caktuar masën e paraburgimit.

Për verifikimin e identitetit të tij të vërtetë, autoritetet kosovare kanë aktivizuar bashkëpunimin ndërkombëtar përmes Interpolit dhe Europolit, duke shpërndarë të dhënat biometrike dhe gjurmët e gishtërinjve.

Nga informacionet e marra nga autoritetet e Gjermanisë, Francës, Austrisë, Belgjikës, Shqipërisë, Hungarisë dhe shteteve të tjera partnere, është konfirmuar se i dyshuari kishte përdorur pesë identitete të ndryshme, të lidhura kryesisht me Greqinë, Shqipërinë dhe Kosovën, me të cilat kishte vepruar dhe udhëtuar në disa vende evropiane.

Si rezultat i hetimeve të mëtejshme dhe bashkëpunimit me autoritetet e Gjermanisë dhe Shqipërisë, është identifikuar se personi i arrestuar është shtetasi shqiptar me inicialet E.K., i cili kërkohej me njoftim të kuq (Red Notice) nga Interpoli.

Autoritetet shqiptare kanë konfirmuar se E.K. është i dënuar me 17 vjet burgim për veprat penale “Vrasje” dhe “Shtrëngim me anë të kanosjes ose dhunës për dhënie të pasurisë”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni…