Arrestohet edhe një i dyshuar për krime lufte në Zubin Potok
02 gusht 2026
| 11:16
Policia e Kosovës, në bashkëpunim me Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, ka arrestuar edhe një person të dyshuar në kuadër të hetimeve për krime lufte në komunën e Zubin Potokut.
Sipas komunikatës së përbashkët, i arrestuari me inicialet J.R. dyshohet për veprën penale “Krime lufte kundër popullsisë civile”.
Autoritetet bëjnë të ditur se arrestimi është rezultat i një pune intensive hetimore të zhvilluar nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Luftës e Policisë së Kosovës, me urdhër të Prokurorisë Speciale.
Policia e Kosovës dhe Prokuroria Speciale kanë theksuar se do të vazhdojnë ndërmarrjen e të gjitha veprimeve të nevojshme hetimore për zbardhjen e rastit, ndërsa publiku do të njoftohet me kohë për zhvillimet e mëtejshme.



