Shikojeni videon e rrëzimit të tmerrshëm të helikopterit në Greqi
Dy persona kanë vdekur pasi dy helikopterë zjarrfikës u përplasën në ajër në Greqi, ndërsa po luftonin një zjarr të madh në pyll.
Një pilot danez dhe një oficer ndërlidhës i shërbimit grek të zjarrfikësve u vranë, ndërsa një pilot britanik dhe një koordinator tjetër grek në helikopterin tjetër i mbijetuan rrëzimit.
Pamjet dramatike të incidentit, i cili ndodhi rreth 65 kilometra në perëndim të Athinës, tregojnë momentin kur njëri prej helikopterëve Bell goditi rotorin e tjetrit. Pas përplasjes, njëri helikopter u përfshi nga flakët dhe u rrëzua në një shkëmb, ndërsa tjetri arriti të bënte një ulje emergjente.
Zjarre të mëdha pyjore kanë shpërthyer në të gjithë Greqinë ditët e fundit, duke detyruar mijëra njerëz të evakuohen. Vende të tjera evropiane po përballen gjithashtu me zjarre shkatërruese, të nxitura nga valët e zgjatura të nxehtësisë.
Sipas shërbimit grek të zjarrfikësve, dy helikopterë Bell, të marrë me qira nga shteti grek nga kompania australiane McDermott Aviation, u përplasën të dielën ndërsa po luftonin një zjarr të madh në kufirin e rajoneve të Atikës dhe Beotisë.
Ekuipazhi i njërit helikopter u shpëtua i gjallë, ndërsa ekuipazhi i tjetrit u gjet pa ndjenja. Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, ata u shpallën të vdekur.
Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis shprehu “pikëllimin e tij më të thellë” për aksidentin.
Në një postim në rrjetin social X, ai tha se vdekja e koordinatorit grek dhe pilotit danez “i mbush të gjithë me trishtim të madh” dhe u ofroi ngushëllime të sinqerta familjeve të të ndjerëve.
Në përputhje me protokollet e sigurisë, të gjithë helikopterët Bell që morën pjesë në operacionet e shuarjes së zjarreve në të gjithë Greqinë u ulën në tokë pas aksidentit, konfirmoi për BBC një burim nga Ministria e Mbrojtjes Civile.
I njëjti burim tha se helikopteri i dytë bëri me sukses një ulje emergjente në një zonë të mbuluar me bimësi të ulët.
“Piloti britanik dhe oficeri grek i ndërlidhjes pësuan lëndime të lehta. Të dy ishin të vetëdijshëm në çdo kohë dhe u dërguan në spital, ku do të mbeten nën vëzhgim 24-orësh si masë paraprake”, tha burimi.
Ai shtoi se piloti britanik ishte punësuar si pilot privat për sezonin e shuarjes së zjarreve dhe nuk ishte pjesë e një programi shkëmbimi midis Mbretërisë së Bashkuar dhe Greqisë, dhe as Athina nuk kërkoi ndihmë nga autoritetet britanike.
Portali grek Ekathimerini raportoi se dy të mbijetuarit raportuan menjëherë aksidentin pas përplasjes dhe ndihmuan ekipet e shpëtimit të gjenin vendin e rrëzimit. Zjarrfikësit dhe ekipet mjeko-ligjore u panë më vonë në vendin e aksidentit duke kryer një hetim. Emrat e katër anëtarëve të ekuipazhit nuk janë publikuar ende zyrtarisht.
Themeluesi dhe kryetari i McDermott Aviation, John McDermott, tha se mendimet e të gjithë punonjësve janë me familjet, miqtë dhe kolegët e të ndjerit.
“Ne po bashkëpunojmë ngushtë me autoritetet përkatëse dhe do të vazhdojmë të ofrojmë të gjithë ndihmën e nevojshme gjatë hetimit të këtij aksidenti tragjik”, tha ai.
Pavarësisht tragjedisë, helikopterët Erickson Air-Crane dhe Chinook, si dhe avionët ajrorë të zjarrfikësve Canadair, vazhduan të merrnin pjesë në operacionet e shuarjes së zjarrit.
Më parë këtë javë, zjarre të mëdha përfshiu gjithashtu Francën dhe Spanjën, me vatrat më të mëdha pranë Madridit dhe Bordeaux. Edhe pse zjarret janë vënë kryesisht nën kontroll, ato ende nuk janë shuar plotësisht. Rreth 300,000 banorë të evakuuar kanë filluar të kthehen në shtëpitë e tyre.
Mediat greke e përshkruan luftën kundër flakëve si “titanike”, duke deklaruar se më shumë se 500 zjarrfikës kanë luftuar me zjarret në zonat e Porto Germenës, Psathës, Fokidës, Megarës dhe Kefalonisë për tre ditë.
Ekspertët paralajmërojnë se shumica e zjarreve në pyje shkaktohen nga njerëzit, qoftë qëllimisht ose aksidentalisht, por ndryshimi i klimës po krijon kushte gjithnjë e më të favorshme për përhapjen e tyre të shpejtë.
Një dimër i butë dhe me shi favorizoi rritjen e harlisur të bimësisë, e cila më pas u tha gjatë valëve të njëpasnjëshme të nxehtësisë, duke krijuar sasi të mëdha materialesh shumë të ndezshme.



