Gratë kërkojnë më shumë panaire për shitjen e produkteve

03 gusht 2026 | 15:35

Punime dore, veshje kombëtare dhe produkte të tjera artizanale u ekspozuan në panairin “Gratë në Biznes”, i cili nisi të hënën, më 3 gusht, në Prishtinë dhe do të zgjasë deri më 5 gusht.

Gratë pjesëmarrëse në panair kërkuan që aktivitete të tilla të organizohen më shpesh, pasi sipas tyre, panairet u krijojnë mundësi për t’i ekspozuar dhe shitur produktet e tyre. Panairi u organizua nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit e Kosovës (MINTI).

Shpresa Makasqi kishte ekspozuar në panair çanta dhe aksesorë të ndryshëm. Ajo merret me këtë biznes prej 15 vjetësh dhe tha se panairet janë ndër mundësitë e vetme për t’i shitur produktet e saj.

“Nuk kemi ku t’i shesim produktet, vetëm nëpër panaire. Këto aktivitete janë të nevojshme sepse puna jonë varet nga panairet. Duhet të organizohen sa më shpesh, ose të ndahen shtëpiza nëpër qytete të ndryshme”, tha Makasqi për Radion Evropa e Lirë.

Qeveria në detyrë e Kosovës thotë se gjatë mandatit të kaluar ka punuar për fuqizimin ekonomik të grave. Numri i të punësuarve është rritur nga rreth 303 mijë në vitin 2019 në 410 mijë, ndërsa në tregun e punës janë përfshirë edhe rreth 53 mijë gra dhe vajza të reja.

Leonida Jakaj (djathtas), studente në Fakultetin e Dizajnit Grafik në Ferizaj, për herë të parë mori pjesë në panair, ku ekspozoi produktet e saj. Ajo tha se pjesëmarrja në panair i krijon mundësi të gjejë klientë të rinj dhe të promovojë produktet e saj.

Përveç veshmbathjeve të ndryshme, në panair u ekspozuan edhe produkte ushqimore, sikurse mjalti.

Nga mbi 265 mijë biznese të regjistruara në Kosovë, rreth 48.500 udhëhiqen nga gratë, që përbën mbi 18 të bizneseve. Vetëm gjatë këtij viti në Kosovë janë regjistruar mbi 2.200 biznese me pronare gra.

Numri më i madh i grave të punësuara në Kosovë është në sektorin e tregtisë, aktivitetet e shërbimeve, gastronomi, si dhe në industrinë përpunuese dhe prodhuese.

Mimoza Kusari -Lila, ministre në detyrë e MINTI-t premtoi se Qeveria do të angazhohet për rritjen e mëtejshme të numrit të grave në biznes dhe për krijimin e mundësive për promovimin e produkteve të tyre.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca…