KGjK-ja të premten shqyrton dorëheqjet e gjyqtarëve dhe stafit serb

05 gusht 2026 | 11:46

Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) ka caktuar mbledhjen e radhës për të premten, më 7 gusht 2026, në të cilën në rend dite është edhe shqyrtimi i kërkesës së ushtrueses së detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, dhe i njoftimeve të gjyqtarëve dhe stafit nga komuniteti serb për tërheqjen e dorëheqjeve.

Në rend dite janë gjithsej 16 pika, ndërsa shqyrtimi i tërheqjes së dorëheqjeve është në pikën e nëntë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në mbledhjen e kaluar, më 24 korrik, kishte dështuar të trajtohej kjo pikë e rendit të ditës, pasi mbledhja dështoi për shkak të mungesës së kuorumit.

Kujtojmë se ushtruesja e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, përmes një letre të dërguar më 19 qershor 2026 te kryesuesi i KGjK-së, Rrustem Thaqi, kishte kërkuar që Këshilli t’i japë epilog çështjes së dorëheqjeve të ofruara nga gjyqtarët dhe stafi mbështetës i komunitetit serb brenda sistemit gjyqësor të Kosovës.

“Mbajtja pezull e këtyre pozitave për një periudhë kaq të gjatë cenon sigurinë juridike, pengon funksionimin e plotë të sistemit të drejtësisë dhe ndikon në efikasitetin e institucioneve përgjegjëse”, është thënë ndër të tjera në letër.

Në anën tjetër, Këshilli Prokurorial i Kosovës, në takimin e mbajtur më 20 korrik 2026, ka refuzuar tërheqjen e dorëheqjeve të prokurorëve dhe stafit mbështetës serb brenda sistemit prokurorial, duke ia dërguar kërkesën ushtrueses së detyrës së presidentes për lirimin nga detyra.

Haxhiu, një ditë më pas (21 korrik), njoftoi se ka nënshkruar dekretet për lirimin nga detyra të shtatë prokurorëve serbë, të cilët kishin ofruar dorëheqjet më 2022.

Për vendimin e KPK-së dhe Haxhiut, Bashkimi Evropian ka vlerësuar se janë në kundërshtim me ligjin. “BE-ja është e shqetësuar nga vendimi i djeshëm i Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK) për të pranuar dorëheqjet që ishin tërhequr tashmë dhe nga vendimi i sotëm i ushtrueses së detyrës së Presidentes, që dekretoi dorëheqjet. Kjo duket se nuk është në përputhje me ligjin, me procedurën e rregullt ligjore dhe me kërkesat e përgjithshme të sundimit të ligjit në Kosovë. BE-ja u bën thirrje të gjitha institucioneve përkatëse që të përmbahen nga veprimet që synojnë pengimin e riintegrimit të personelit gjyqësor serb të Kosovës”, është thënë në reagimin e BE-së.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ndërsa pushtimi në shkallë të plotë i Ukrainës nga Rusia…