Rashiqi: Ende nuk jam takuar me Kurtin, nesër konstituohet Kuvendi, por nuk votohet qeveria
Kryetari i partisë “Për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë” dhe deputeti i zgjedhur, Nenad Rashiq, ka deklaruar se ende nuk ka zhvilluar takim me liderin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.
Rashiqi, i cili aktualisht ushtron detyrën e ministrit në detyrë për Komunitete dhe Kthim, tha se takimi me Kurtin mund të zhvillohet pas konstituimit të Kuvendit të Kosovës.
Ai bëri të ditur se në seancën e nesërme pritet vetëm konstituimi i legjislaturës së 11-të, ndërsa nuk do të ketë votim të Qeverisë së re.
“Nuk jemi takuar, por besoj se takohemi këto ditë. Sikurse e dini, për nesër besoj se do ta kemi vetëm pjesën e konstituimit të Kuvendit, nuk do të hyjmë në marrëveshje të tjera. Pres që pas ditës së nesërme të takohemi në një moment dhe të flasim për një angazhim për Qeverinë e re, kurdo që të jetë e mundur. Sa di unë, nuk do të votohet Qeveria”, ka deklaruar Rashiqi.
Deputetët e Kuvendit të Kosovës pritet që nesër nga ora 10:00 të mblidhen në seancën plenare për konstituimin e legjislaturës së 11-të.



