Macroni: BE-ja do ta rrisë presionin ndaj Rusisë me sanksione të reja
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka deklaruar se Bashkimi Evropian (BE) do të intensifikojë presionin ndaj Rusisë përmes sanksioneve të reja dhe do të forcojë mbështetjen ushtarake për Ukrainën.
Deklarata e Macronit ka ardhur pas sulmeve ajrore ruse në Kiev dhe zonat përreth, të cilat, sipas autoriteteve ukrainase, kanë lënë të vrarë 17 persona dhe dhjetëra të tjerë të plagosur.
Në një reagim të publikuar në platformën “X”, Macroni ka dënuar sulmet ndaj civilëve, duke i cilësuar ato si pjesë e një “politike terrori” të realizuar përmes raketave dhe dronëve. “Rusia duhet të paguajë çmimin dhe të mbahet përgjegjëse për krimet e saj. Ne nuk do t’i nënshtrohemi lodhjes apo frikësimit dhe do të vazhdojmë të qëndrojmë përkrah Ukrainës”, ka shkruar Macroni.
Ai ka theksuar se BE-ja dhe partnerët e saj do të vazhdojnë të rrisin presionin ndaj Moskës, veçanërisht përmes masave të reja ndëshkuese, ndërsa do të shtojnë ndihmën ushtarake për Ukrainën.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, ka njoftuar se nga sulmet gjatë natës në Kiev dhe rajonin përreth kanë humbur jetën 17 persona, ndërsa 44 të tjerë janë plagosur.



