Mirlind Daku prezantohet te Spartaku i Moskës, firmos kontratë trevjeçare

06 gusht 2026 | 12:35

Mirlind Daku është zyrtarisht lojtar i ri i Spartak Moskës. Klubi rus ka prezantuar të enjten sulmuesin e Shqipërisë, i cili ka firmosur kontratë trevjeçare dhe do ta mbajë fanellën me numrin 19.

Daku është transferuar te Spartaku nga Rubin Kazani. Sipas raportimeve të mediave ruse, vlera e transferimit arrin në 11 milionë euro. Sulmuesi kosovar pritet të ketë të ardhura vjetore prej 3.75 milionë eurosh, ndërsa si bonus për transferimin ka përfituar 1.5 milionë euro.

Kalimi i tij te klubi i njohur rus megjithatë është shoqëruar me polemika. Një pjesë e tifozëve të Spartakut, të njohur për qëndrimet e tyre pro-serbe, kanë kundërshtuar transferimin e Dakut. Gjatë një ndeshjeje të mërkurën, ku sulmuesi ishte në tribunë, janë dëgjuar thirrje nacionaliste kundër Kosovës dhe shqiptarëve, ndërsa disa tifozë kanë shprehur pakënaqësi edhe përmes rrjeteve sociale.

Pavarësisht kundërshtimeve, Spartaku ka vendosur ta realizojë transferimin dhe pret gola nga sulmuesi shtatlartë. Klubi rus ka vlerësuar karrierën e Dakut dhe paraqitjet e tij në kampionatin rus. “Daku ka kaluar tri edicione te Rubini, duke shënuar të paktën dhjetë gola në secilin prej tyre. Është stabilizuar si njëri prej top-golashënuesve të ligës ruse. Ai ka 38 gola dhe 10 asistime në 93 ndeshje për klubin nga Kazani. Me 192 centimetra gjatësi, Mirlindi jo vetëm që luan si sulmues i fuqishëm, por është edhe organizator i mirë falë aftësisë së shkëlqyer me topin”, ka shkruar Spartak Moska.

Klubi rus ka përmendur edhe rrugëtimin e tij para transferimit në Rusi, ku Daku ka luajtur për Hajvalinë, Llapin dhe Ballkanin në Kosovë, Kukësin në Shqipëri, Osijekun në Kroaci dhe Muran në Slloveni.

Edicioni më efikas për sulmuesin ishte ai 2020/2021, kur ka realizuar 31 gola dhe u shpall golashënuesi më i mirë i kampionatit të Kosovës.

Spartaku ka theksuar gjithashtu se Daku në nivelin e të rinjve ka luajtur për Kosovën, ndërsa në vitin 2023 ka pranuar ftesën e Shqipërisë. Deri tani ai ka zhvilluar 17 paraqitje për Kombëtaren shqiptare dhe ka marrë pjesë edhe në Kampionatin Evropian. Pas prezantimit, Daku ka vizituar muzeun e klubit në “Lukoil Arena” dhe ka ndjekur ndeshjen e Kupës ndaj Orenburgut. Stërvitjen e parë me ekipin e ri do ta zhvillojë të premten.

Spartaku i Moskës është një prej klubeve më tradicionale ruse. Pronare e tij është kompania energjetike Lukoil. Sezonin e kaluar klubi e përfundoi kampionatin në vendin e katërt dhe fitoi Kupën e Rusisë, ndërsa titullin e fundit kampion e kishte fituar në vitin 2017. Nënkampion për herë të fundit ishte në vitin 2021.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Gianni Infantino do të vazhdojë të jetë president i FIFA-s,…