KDI-ja i bën thirrje LV-së që ‘pa vonesë’ ta propozojë kandidatin për kryeparlamentar
Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) i ka bërë thirrje Lëvizjes Vetëvendosje që, si subjekt fitues i zgjedhjeve, pa vonesë ta ushtrojë të drejtën dhe përgjegjësinë kushtetuese për të propozuar kandidaturën për kryetar të Kuvendit.
Përmes një reagimi, KDI-ja ka shprehur keqardhje që sot nuk është konstituuar organi ligjvënës, pasi LV-ja nuk e ka propozuar kandidatin për kryetar, me arsyetimin se i nevojitet kohë shtesë për arritjen e një marrëveshjeje politike për zgjedhjen e presidentit.
KDI-ja ka thënë se mirëpret çdo përpjekje serioze për arritjen e një marrëveshjeje politike mes partive, por ka theksuar se “dialogu politik dhe respektimi i afateve kushtetuese nuk e përjashtojnë njëri-tjetrin, por duhet të zhvillohen paralelisht”.
Takimet dypalëshe, konsultimet më të gjera dhe format e tjera të komunikimit politik, sipas KDI-së, mund dhe duhet të vazhdojnë, veçanërisht për çështjen e zgjedhjes së presidentit.
“Megjithatë, është e domosdoshme që fillimisht të përfundojë konstituimi i Kuvendit, në mënyrë që të nisin procedurat e tjera kushtetuese, përfshirë afatin 60-ditor për zgjedhjen e presidentit”, është thënë në reagimin e KDI-së.



