Nis seminari i FIFA-s për gjyqtarët e futbollit të Kosovës

07 gusht 2026 | 12:11

Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) ka nisur seminarin dyditorë të FIFA-s për gjyqtarët e futbollit, i cili është duke u mbajtur në Prishtinë. Ky seminar shënon fillimin e përgatitjeve për edicionin e ri garues 2026/27 dhe synon avancimin e njohurive teknike, fizike dhe profesionale të gjyqtarëve kosovarë.

Punimet e këtij seminari u hapën nga presidenti i FFK-së, Agim Ademi, ndërsa ligjërimet janë duke u udhëhequr nga instruktori i FIFA-s, Alan Snoddy dhe eksperti i përgatitjes fizike, Simon Breivik.

Programi përfshin temat më aktuale të ndarjes së drejtësisë, ndryshimet në rregullat e lojës për edicionin 2026/27, analizën e incidenteve, përdorimin e VAR-it, integritetin e zyrtarëve të ndeshjes, përgatitjen fizike, menaxhimin e lojës dhe analizën e situatave nga kampionati vendor.

Pjesë e rëndësishme e seminarit janë edhe testet fizike, të cilat zhvillohen sipas standardeve të FIFA-s, duke siguruar që gjyqtarët të jenë maksimalisht të përgatitur për sfidat e sezonit të ri.

Përmes organizimit të seminareve të tilla, FFK-ja vazhdon të investojë në zhvillimin profesional të gjyqtarëve, duke synuar rritjen e cilësisë së arbitrimit në garat vendore dhe përgatitjen e tyre për angazhime në arenën ndërkombëtare.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Dhjetë vjet më parë, më 7 gusht 2016, Majlinda Kelmendi…