Gjermania forcon sigurinë në aeroporte, vendos sisteme kundër dronëve
Gjermania ka nisur instalimin urgjent të sistemeve të avancuara kundër dronëve në aeroportet kryesore të vendit, me qëllim rritjen e sigurisë së trafikut ajror dhe parandalimin e kërcënimeve të mundshme.
Tetë aeroportet më të mëdha gjermane: Frankfurt, Berlin, Mynih, Düsseldorf, Stuttgart, Hamburg, Leipzig dhe Këln janë duke u pajisur me teknologji të reja për zbulimin dhe neutralizimin e dronëve të paautorizuar. Vendimi vjen pas një serie incidentesh të lidhura me përdorimin e dronëve pranë zonave aeroportuale, raporton “CNN”.
Rasti më i fundit ka shkaktuar alarm në Leipzig, ku, sipas raportimeve, është zbuluar një dron që dyshohej se transportonte eksplozivë pranë një avioni ukrainas të ngarkesave.
Autoritetet gjermane e konsiderojnë mbrojtjen kundër dronëve si një prioritet të ri të sigurisë, pasi pajisje të tilla mund të paraqesin rrezik serioz për avionët, pasagjerët dhe funksionimin normal të aeroporteve. Pritet që shumica e aeroporteve kryesore të Gjermanisë të jenë të pajisura me sistemet e reja të mbrojtjes deri në fund të këtij viti.



