Temperaturat deri në 32 gradë, IHMK-ja paralajmëron se sot priten stuhi dhe breshër në disa zona të vendit

07 gusht 2026 | 13:32

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK) ka dhënë një përditësim lidhur me situatën meteorologjike në vend.

IHMK-ja ka bërë me dije se aktualisht në disa rajone të Kosovës janë zhvilluar vranësira konvektive (Cumulonimbus), të cilat po krijojnë kushte për reshje lokale shiu, të shoqëruara në disa zona me shkarkesa elektrike, erëra të përkohshme të fuqishme dhe, në zona të izoluara, edhe me breshër.

“Temperatura momentale arrin rreth 32 gradë celsius, ndërsa për shkak të nxehtësisë së grumbulluar gjatë ditës dhe paqëndrueshmërisë atmosferike, pritet që këto zhvillime të vazhdojnë edhe gjatë orëve të ardhshme”, ka njoftuar IHMK-ja.

Sipas IHMK-së, reshjet nuk do të përfshijnë të gjithë territorin e Kosovës, por do të jenë të karakterit lokal, me intensitet të ndryshëm nga një zonë në tjetrën.

“Qytetarëve u rekomandohet kujdes gjatë lëvizjes në zonat ku mund të zhvillohen stuhi, ndërsa fermerët këshillohen të ndjekin informacionet meteorologjike për shkak të mundësisë së reshjeve intensive dhe breshrit në disa lokalitete”, ka njoftuar IHMK-ja.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Tre persona nga një familje me prejardhje nga Komogllava e…