Partitë opozitare nga objekti i Kuvendit i bëjnë thirrje VV-së që ta vazhdojë sonte seancën konstituive

07 gusht 2026 | 22:29

Partitë opozitare kanë kërkuar që seanca konstituive të thirret sonte para mesnatës, pas ftesës së Lëvizjes Vetëvendosje që e njëjta të mbahet nesër, në kundërshtim me Kushtetutën.

Deputetë opozitarë janë deklaruar nga Kuvendi i Kosovës, prej ku kanë përsëritur thirrjet e tyre ndaj partisë që doli e para në zgjedhjet e 7 shkurtit.

Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës, Besnik Tahiri, ka bërë të ditur se, në koordinim me grupet e tjera parlamentare, është kërkuar që Kuvendi të mbajë sonte një seancë të jashtëzakonshme për vazhdimin e procesit të konstituimit.

Në një konferencë për media, Tahiri tha se seanca është kërkuar të thirret në orën 22:30, në mënyrë që deputetët e zgjedhur dhe të betuar të mblidhen dhe t’i kërkojnë kryesuesit të seancës konstituive vazhdimin e saj.

“Si grup parlamentar, në diskutim edhe me grupet e tjera parlamentare, kemi një kërkesë për një seancë të jashtëzakonshme e cila duhet të thirret sonte në ora 22:30. Ne, me autorizimin tonë si deputetë të zgjedhur dhe të betuar në Kuvend, të mblidhemi dhe t’i kërkojmë kryesuesit të seancës konstituive që ta thërrasë seancën dhe sonte ta kryejmë procesin”, tha Tahiri.

Në Kuvend u mblodh edhe Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës për t’i diskutuar këto zhvillime. Kryetari i kësaj partie, Bedri Hamza, në një prononcim për media nga holli i Kuvendit, teksa po shkonte në një takim me Grupin Parlamentar të PDK-së, deklaroi se Kuvendi duhet të konstituohet më së voni gjatë ditës së sotme.

“Situata është serioze, është duke u cenuar demokracia, kushtetuta, është duke u prodhuar një situatë që mund të prodhojë pasoja të paparashikueshme për vendin. Duhet t’i respektojmë ligjet dhe Kushtetutën, dhe aktgjykimi i GJK-së është i qartë që Kuvendi duhet të konstituohet 30 ditë pas certifikimit të rezultateve zgjedhore, dhe data e fundit ka qenë sot”.

Ai e ka cilësuar të papërgjegjshme shtyrjen e vazhdimit të seancës, duke thënë se PDK-ja nuk do të bëhet pjesë e, siç i quajti ai, “lojërave të tilla”.

“Cila është logjika, përveç dhunimi i Kushtetutës, demokracisë dhe i ligjeve që seanca nuk vazhdon sonte por thirret për nesër? Kjo është krejtësisht e papërgjegjshme. Ne si PDK nuk do të jemi pjesë e lojërave të tilla të papërgjegjshme, jo serioze, me oferta aspak serioze, me biseda aspak serioze për t’i dhënë vendit institucione, dhe sigurisht se ne do t’i bëjmë të gjitha veprimet e nevojshme politike, demokratike në mbrojtje të demokracisë, të shtetit, por edhe të Kushtetutës”, tha kreu i PDK-së.

Ndërkohë, edhe deputetja e LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu, i ka bërë një ftesë publike Lëvizjes Vetëvendosje për të vazhduar seancën konstituive gjatë ditës së sotme.

Nga oborri i Kuvendit të Kosovës, Lushaku-Sadriu tha se deputetët kanë obligim që ta konstituojnë legjislaturën e 11-të dhe të mundësojnë funksionalizimin e institucioneve të vendit brenda afateve kushtetuese.

Ajo kërkoi nga subjekti më i madh parlamentar që të thërrasë vazhdimin e seancës, në mënyrë që Kuvendi të konstituohet brenda afatit të përcaktuar.

“Dola këtu për t’i bërë një ftesë publike subjektit më të madh të Kuvendit të Kosovës për ta thirrur seancën ose vazhdimin e seancës konstituive me qëllim që Kuvendi i Kosovës të konstituohet sonte, brenda afateve kushtetuese. Vërtetë është për keqardhje që sillet institucioni më i lartë legjislativ në vend në një pozitë të tillë ku sfidohet edhe kushtetutshmëria edhe funksionaliteti, pamundësohet puna e deputetëve për çka kemi marrë legjitimitet për të përfaqësuar qytetarët në institucionin më të lartë të Republikës. Prandaj, është e papranueshme që konstituimi i Kuvendit të Kosovës të mos ndodhë sonte. Ne si deputetë të LDK-së jemi këtu dhe po presim ftesën që kurdo që thirret seanca të bëjmë konstituimin e Kuvendit dhe të fillojmë funksionalitetin e institucioneve. Pavarësisht marrëveshjeve politike, është obligimi ynë që t’i japim Kosovës institucione”, tha Lushaku-Sadriu.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Time Kadrijaj, ka…