“Deri kur do ta mbani peng Kosovën për pushtet?”, Rama: Kosova nuk është pronë e Albin Kurtit, Kushtetuta nuk është për manipulime politike
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar pasi as sot nuk u konstituua Kuvendi i Kosovës, pasi Lëvizja Vetëvendosje nuk propozoi kandidatin për kryetar të Kuvendit.
Rama, përmes një statusi në Facebook ka shkruar se Kosova nuk është pronë e Albin Kurtit dhe se Kushtetuta nuk është mjet për manipulime politike, shkruan Reporteri.net.
Tutje, ai shkruan se se Kurtit duhet t’iu përgjigjet qytetarëve pse po mbahet peng konstituimi i Kuvendit?
“Afatet po kalojnë. Kuvendi mbetet i pakonstituuar. Institucionet po mbahen në bllokadë, ndërsa Albin Kurti vazhdon me kalkulime për pushtet”.
“Albin Kurti mban përgjegjësi politike për mënyrën se si po e menaxhon këtë krizë. Detyra e një Kryeministri është të marrë përgjegjësi, të respektojë rendin kushtetues dhe të kontribuojë në stabilitetin e vendit”, shkruan Rama.
Postimi i tij:
KOSOVA NUK ËSHTË PRONË E ALBIN KURTIT. KUSHTETUTA NUK ËSHTË MJET PËR MANIPULIME POLITIKE!
Të dashur qytetarë,
Ajo që po shohim në Kuvendin e Republikës së Kosovës është papërgjegjësi e rëndë institucionale dhe një lojë e rrezikshme me funksionimin e shtetit.
Afatet po kalojnë. Kuvendi mbetet i pakonstituuar. Institucionet po mbahen në bllokadë, ndërsa Albin Kurti vazhdon me kalkulime për pushtet.
Kushtetuta e Republikës së Kosovës nuk funksionon sipas nevojave politike të një partie. Afatet kushtetuese nuk presin derisa Albin Kurti t’i bëjë numrat. Kuvendi nuk mund të shndërrohet në instrument pazari për Presidentin, Qeverinë apo për mbijetesën politike të askujt.
SHTETI ËSHTË MBI PARTINË!
Albin Kurti duhet t’u përgjigjet qytetarëve:
Pse po mbahet peng konstituimi i Kuvendit?
Pse institucionet e Republikës po përdoren për kalkulime politike?
Deri kur do të prodhoni kriza vetëm pse nuk i keni numrat për pushtetin që kërkoni?
Kush ua ka dhënë të drejtën ta trajtoni Republikën e Kosovës sikur të ishte pronë e partisë suaj?
Kur i kanë numrat, flasin për demokraci.
Kur nuk i kanë, prodhojnë bllokadë.
Kur u konvenon Kushtetuta, e citojnë.
Kur nuk u konvenon, kërkojnë kohë dhe arsyetime.
Mjaft!
Me keqardhje po i shohim edhe skenat e sotme në Kuvend, ku deputetja Time Kadrijaj hodhi vezë në drejtim të Albin Kurtit.
Në një situatë të tillë të tensionuar politike, pamje të tilla nuk i bëjnë nder Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe duhet të na shqetësojnë të gjithëve.
Deri kur do të jetojë ky popull në krizë, tension dhe përçarje politike?
Populli i Kosovës nuk meriton politikanë përçarës që prodhojnë vazhdimisht kriza dhe trauma.
Ka mjaft vuajtje ky popull.
Ka mjaft përçarje.
Ka mjaft kriza.
Kosova ka paguar një çmim tepër të lartë për lirinë, demokracinë dhe shtetin e saj që institucionet sot të përdoren si monedhë për kalkulime politike.
Albin Kurti mban përgjegjësi politike për mënyrën se si po e menaxhon këtë krizë. Detyra e një Kryeministri është të marrë përgjegjësi, të respektojë rendin kushtetues dhe të kontribuojë në stabilitetin e vendit.
Kosovës i duhet stabilitet.
Kosovës i duhen institucione funksionale.
Kosovës i duhet respekt për Kushtetutën.
Kosovës i duhet lidership që bashkon dhe merr përgjegjësi.
Kuvendi u përket qytetarëve.
Kushtetuta mbron Republikën.
Institucionet duhet t’u shërbejnë qytetarëve.
Askush nuk është mbi Kushtetutën.
Askush nuk është mbi institucionet.
Askush nuk është mbi Republikën e Kosovës!
Albin Kurti, pushteti është i përkohshëm.
KOSOVA ËSHTË E PËRHERSHME!
SHTETI ËSHTË I SHENJTË!



