Rebelët Huthi marrin përsipër sulmin ndaj rafinerisë së Arabisë Saudite

09 gusht 2026 | 14:55

Rebelët Huthi në Jemen kanë marrë përsipër sulmin ndaj një rafinerie në bregdetin e Detit të Kuq në Arabinë Saudite.

Grupi i armatosur, i mbështetur nga Irani, ka deklaruar se ka goditur një objekt të kompanisë Aramco në Jizan, pasi autoritetet saudite njoftuan se kishin vënë nën kontroll një zjarr në rafineri.

Zëdhënësi ushtarak i Huthëve, Yahya Saree, ka thënë se grupi ka “arritur të shënjestrojë rafinerinë Aramco në Jizan me një dron dhe sulmi ishte i saktë”. Sipas tij, sulmi është kryer në përgjigje të asaj që Huthët i kanë cilësuar si inkursione me dronë sauditë në veriperëndim të Jemenit.

Sulmet nga Huthët janë intensifikuar që nga përshkallëzimi i fundit i situatës, ndërsa armëpushimi i vitit 2022 në luftën civile të Jemenit duket se është cenuar.

Arabia Saudite u përfshi në luftën civile në Jemen më shumë se një dekadë më parë, në mbështetje të qeverisë së njohur ndërkombëtarisht.

Më herët, Ministria e Energjisë e Arabisë Saudite ka njoftuar se ekipet e mbrojtjes civile kanë arritur të vënë nën kontroll një zjarr në rafinerinë e Jizanit, pa dhënë detaje për shkakun e tij.

Ndërkohë, Huthët kanë njoftuar më herët për vendosjen e një bllokade detare ndaj Arabisë Saudite dhe kanë pretenduar se kanë goditur objektiva saudite në Detin e Kuq.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Gjendje e jashtëzakonshme është shpallur në British Columbia të Kanadasë,…