Ymeri: Deklarata e Vuçiqit për ndryshimin e rrjedhës së lumit Ibër lidhet me ‘kartën nacionaliste’ të LV-së
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Janina Ymeri, ka reaguar pas deklaratave të presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, për ndryshimin e rrjedhës së lumit Ibër.
Ymeri është shprehur se deklarata e Vuçiqit lidhet, sipas saj, me “kartën nacionaliste” të Lëvizjes Vetëvendosje dhe me rëndësinë që ka lumi Ibër për liqenin e Ujmanit dhe sistemin Ibër-Lepenc.
“Deklarata e Vuçiqit për ndryshimin e lumit Ibër lidhet me kartën nacionaliste të LV-së, #liqeniUjmanit sepse lumi Ibër e mbush liqenin e Ujmanit, lidhet me kanalin Ibër Lepenc deri në Obiliq ndërsa lumi vazhdon në Serbi”, ka shkruar Ymeri.
Ajo ka theksuar se ndryshimi i rrjedhës së lumit, sipas saj, nuk lejohet nga e drejta ndërkombëtare dhe do të paraqiste rrezik për sigurinë energjetike të Kosovës.
“Ndryshimi i rrjedhës jo veç qe nuk lejohet me ndodh me të drejtë ndërkombëtare po edhe rrezikon sigurinë energjetike 100 për qind për çfarë Serbia penalizohet”, ka deklaruar ajo.
Ymeri ka kritikuar edhe paraqitjet e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, dhe ministrit në detyrë të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, në zonën e Ujmanit.
“Tash nuk ka nevojë as Albin Kurti as ministri Sveçla të defiloj në Ujman kinse e mbrojnë Kosovën. Kallxon rryma, guri e gruri sa e mbrojnë”, ka shkruar deputetja e zgjedhur e LDK-së.
Sipas saj, çështja duhet të trajtohet në Kuvendin e Kosovës, ndërsa është shprehur se deklaratat e Vuçiqit nuk duhet të përdoren për të nxitur panik apo për t’i dhënë arsye për trazira Lëvizjes Vetëvendosje.
“Çështja është Kuvendi i Republikës së Kosovës – Skupština Republike Kosova dhe nuk kryen punë as Vuçiq në ngjallje paniku për me i dhanë shkak për trazira LV-së”, ka shkruar Ymeri.
Në fund, ajo ka ngritur edhe një pyetje lidhur me paraqitjen e kryeministrit në detyrë në Kuvend.
“Pyetja është: A del në Kuvend me u anku kryeministri në mashtrim e sipër, duke e dit që mund të mos përfundoj seancën vetëm si viktimë e gjuajtjes së vezëve?”, ka shtuar Ymeri.



